Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH) reagon me indinjatë të thellë rreth disa shkrimeve që janë publikuar si në media serbe ashtu edhe në disa në gjuhën shqipe.
KKSH njofton se mediat serbe nuk kanë transmetuar deklaratën autentike dhe kanë nxjerrë nga konteksti si të shtrembëruar. Me ç ‘rast disa nga mediat në gjuhën shqipe e kanë transmetuar ashtu të shtrembëruar duke cituar mediat në gjuhën serbe. Andaj, KKSH dëshiron edhe njëherë të bëjë të qartë qëndrimet e saj në lidhje me tekstet shkollore në gjuhën shqipe.
KKSH konsideron se tekstet mësimore në gjuhën shqipe janë nga sfidat më të mëdha të këtij institucioni i cili jo që ka kërkuar zgjidhjen nga Qeveria e Serbisë, por edhe ndihmën e Kosovës, Shqipërisë dhe Bashkësisë ndërkombëtare për të përmbushur Serbia obligimin ligjor dhe realizuar të drejtën elementare të nxënësve shqiptarë për mjetin bazë të mësimit dhe edukimit – librin shkollor.
Ligji mbi sistemin e arsimit dhe edukimit si dhe ligjet tjera që rregullojnë këtë fushë obligojnë dhe detyrojnë qeverinë e Serbisë për të siguruar tekste shkollore për të gjithë nxënësit pa dallime raciale, etnike e fetare. Për më tepër, detyron qeverinë që të sigurojë tekstet në gjuhët e pakicave kombëtare.
KKSH thekson se çështja e teksteve mësimore kurrë nuk do të zgjidhet pa vullnetin politik dhe pa respektim rigoroz të ligjit dhe standardeve evropiane.
Për shkak të shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 2008, atëherë Qeveria e Serbisë miratoi një vendim që ka shkaktuar dëme të pa riparueshme shqiptarët në Luginën e Preshevës. Ky vendim është i koordinuar me qasjen politike të shtetit kundër shqiptarëve dhe nuk konsiderojmë vetëm diskriminim por një akt fashist në Serbinë e pasluftës. Për ta bërë edhe më keq, Qeveria e Serbisë nuk ka lejuar që Këshilli Kombëtar Shqiptar merr donacionin e ofruar nga Kosova. Edhe pse në Shtator të vitit 2015, Ministri i Arsimit të Kosovës dhe Ministri i Arsimit të Serbisë kanë rënë dakord që Ministria e Arsimit të Kosovës sigurojë tekstet shkollore për nxënësit shqiptarë në Luginën e Preshevës dhe Ministrisë së Arsimit të Serbisë të ofrojë tekste shkollore për nxënësit serbë në Kosovë.
Jemi në pritje të zbatimit marrëveshjes të vitit të kaluar që është arritur mes dy Kryeministrave të atëhershëm të Shqipërisë dhe Serbisë, Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiq. Andaj, KKSH-ë është duke insistuar në zgjidhjen e përgjithshme të këtij problemi dhe jo në zgjidhje parciale të ofruara nga Ministria e Arsimit të Serbisë përmes akteve administrative.
Shërbimi për informim i KKSH-së