Në vazhdën e aktiviteteve të muajit të Ramazanit, Këshilli i Bashkësisë Islame (KBI), shtroi iftar për një pjesë të jetimëve të Komunës së Gjilanit të cilët janë të regjistruar që nga paslufta e deri më tani.
Disa prej tyre gëzojnë një përkujdesje mujore 30 euro në muaj dhe herë pas here janë ndihmuar me pako ushqimore, çanta shkollore, veshmbathje, etj.
Kryetari i KBI-së, Naim Aliu shtroi një iftar të përbashkët për 90 persona përfshirë edhe familjarët më të ngushtë të tyre, me këtë rast ai u shpreh:
“Ndihem jashtëzakonisht i vogël para këtyre fëmijëve dhe për këtë arsye edhe jam ulur në tavolinat e fundit për t’i lënë kryet e vendit fëmijëve të cilët po rriten pa babë, I tillë jam edhe vet ngase kam qenë shumë i vogël kur më ka vdekur babai”.
Ai gjithashtu u zotua se do të mundohen që bashkëpunimin për këta fëmijë do ta vazhdojnë nëpërmjet donatorëve të mundshëm dhe në të njëjtën kohë bëri një thirrje të gjithë të interesuarve, bizneseve dhe individëve të interesuar, për t’i ndihmuar kësaj kategorie, se Këshilli i Bashkësisë Islame do t’i ofroj të gjitha mundësitë që ndihmat e qytetarëve të arrijnë deri te jetimët e Gjilanit.
Në fund, secilës familje që prezentoi në iftar iu dha një pako me gjërat më elementare për ushqim dhe nga 20 euro nga një qyetar i cili kishte dëshiruar të mbetej anonim dhe këtë ndihmë e kishte ofruar në emër të zekatit.