Këshilli i Bashkësisë Islame (KBI) në Gjilan të martën mbrëma ka shtruar darkën e iftarit, ku në mesin e mysafirëve të shumtë, që e pritën bashkërisht iftarin, ishte edhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, nënkryetari Arbër Ismajli, zëvendësministri Rexhep Kadriu, rektori i Universitetit të Gjilanit, Bajram Kosumi, drejtorët komunal, deputetë e përfaqësues të partive politike, të Policisë, Gjykatës, prokurorisë, imamë, e të tjerë.
Në emër të nikoqirit, kreu i KBI-së në Gjilan, Naim Aliu ka vlerësuar praninë e të gjithëve, duke u shprehur falënderues ndaj të gjithëve që e kanë pranuar ftesën e KBI-së për të qenë pjesë e këtij iftari të përbashkët.
Sipas tij, ky institucion fetar po vazhdon me traditën e saj duke shtruar sofrën e iftarit për kategori të ndryshme dhe se edhe kjo e kësaj nate është në vazhdën e sofrave të përbashkëta, tradicionale për çdo Ramazan.
Ai ka falënderuar të gjithë ata që pas një dite agjërimi iu kanë bashkuar sofrës së iftarit, duke bërë që të jenë të gjithë bashkë pa dallim, ngase roli i KBI-së është edhe promovimi i frymës tolerante, respektit dhe paqes kudo mes njerëzve.
Në këtë iftar ishte i pranishëm edhe kreu i komunës së Gjilanit Lutfi Haziri i cili në fjalën e tij ka lavdëruar Këshillin e Bashkësisë Islame në Gjilan që në një ditë si kjo ka bërë bashkë të gjithë pa dallim, sepse, siç tha ai, ky muaj i madhërishëm duhet të shfrytëzohet për falje, lënie anash të dallimeve, mërive, inateve, qoftë dhe mes rivalëve politik.
Ai tha tutje se ndihet i lumtur që, si besimtar, si i pari i qytetarëve të Gjilanit, t’i përshëndet të pranishmit me selam, dhe lutet që Zoti të na pranojë këtë agjërim dhe këtë sakrificë që e bëjmë në emër të Tij, në këtë muaj të madh të Ramazanit.
Duke e vlerësuar shembullin e KBI-së, për t’i bashkuar në sofër të gjithë pa dallim, Haziri ka thënë se kjo duhet të bartet, në çdo familje, në mënyrë që sofrat të jetë të shtruara për ata që bëjnë sakrificën e madhe në muajin e madh të Ramazanit përmes agjërimit, që na bënë të mendojmë dhe të bëjmë punë të mira, e t’iu ndihmojmë njerëzve dhe të jenë të barabartë, së paku në sofrën e iftarit.
Ceremoninë e iftarit është përmbyllur nga kryemami Iljaz Mustafa.