(2LONLINE) -Iniciativa Qytetare e Zhegrës (IQZH), ka adresuar një shkresë edhe në adresë të Drejtorisë Komunale të Arsimit në Gjilan, përkatësisht drejtorit Nami Musa, nga i cili kërkohet renovim emergjent të shkollës së mesme te lartë në Zhegër por edhe disa kërkesa tjera.
Ruhan Kurteshi, Koordinator i IQZH-së ka bërë të ditur se paralelet e ndara të Shkollës së Mesme të Lartë në Zhegër funksionojë që nga viti 1972. Në këto paralele mësimet i vijojnë mbi 230 nxënës nga Zhegra, Gjilani dhe fshatrat për rreth. Po ashtu mbi 320 nxënës nga Zhegra me rrethinë i vijojnë mësimet në shkolla të ndryshme në qytetin e Gjilanit.
“Në këto paralele mësimi zhvillohet me vështirësi sidomos pas zhvendosjes së nxënëseve të shkollës fillore “Agim Ramadani” në shkollën e re. Pasi që nga ajo kohë (shtator 2011) në paralelet e ndara në Zhegër nuk është investuar fare. Përndryshe dihet tani më se nga tërmeti vitit 2004 kjo shkollë është dëmtuar dukshëm dhe në vazhdimësi nga Drejtoria e Arsimit në Gjilan dhe nga MASHT janë dhënë premtime për ndërtimin e objektit të ri të shkollës së mesme”, thotë Kurteshi.
Ai po ashtu u shpreh se sa i përket mbarëvajtjes së mësimit, pasi që pjesa dërmuese e profesorëve udhëtojnë, një pjesë e tyre në vazhdimësi humbin orët e disa prej tyre marrin pagat që punojnë në Zhegër e në fakt nuk janë prezent me nxënësit.
“Prandaj kërkojmë që urgjentisht të hartohet projekti për ndërtimin e një sholle të re, profesorët që janë në këtë shkollë të jenë ma konsekuent në kryerjen e detyrave të tyre, inspektorati i arsimit të kontrolloj në kontinuitet cilësinë e arsimit në këto paralele si dhe të hapen profile të reja , që do të ishin më atraktive për nxënës., ka thënë Ruhan Kurteshi, koordinator i IQZH-së. /2lonline/