(2L ONLINE) – Lëvizja Vetëvendosje, Qendra në Gjilan, pas kritikave që i bëri ditë më parë këtij pushteti, por edhe atij të kaluar, për gjendjen në të cilën ndodhen Varrezat e Dëshmorëve në Gjilan, ka kërkuar nga Zyra e prokurimit- Menaxhimit të projektit, informatë zyrtare rreth projektit të Varrezave të Dëshmorëve.
Këtë kërkesë e ka bërë Arjeta Rexhepi, anëtare e Kuvendit Komunal të Gjilanit nga Lëvizja Vetëvendosje, në adresë të Zyrës së Prokurimit- Menaxhimit të projektit, por duke vënë në dijeni edhe Lutfi Hazirin, kryetar i Komunës së Gjilanit dhe Valentina Bunjaku-Rexhepin, kryesuese e Kuvendit Komunal.
Rexhepi ka bërë me dije se ka kërkuar zyrtarisht të informohen rreth projektit të filluar e të pambaruar, tek Varrezat e Dëshmorëve. “Jemi të interesuar të dimë se sa ka kushtuar ky projekt, kush është punë kryesi, kur ka qenë koha e fillimit dhe kur e përfundimi, cilat janë arsyet e ngecjes të këtij projekti dhe a është nën hetime ky projekt”, ka thënë Arjeta Rexhepi nga Lëvizja Vetëvendosje. /2L ONLINE/