(2L ONLINE) – Nën organizimin e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport të Komunës së Vitisë është mbajtur sot një konferencë ku është diskutuar për çështjet e trashëgimisë kulturore. Kjo konferencë i ka bërë bashkë përfaqësues të Institucioneve Komunale të Vitisë,Junikut,Ferizajit,Gjilanit, Ministrisë së Kulturës, Institutit Arkeologjik të Kosovës, Komisionit Evropian dhe Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Trashëgimisë Kulturore.
Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti gjatë këtij takimi ka folur për rëndësinë që ka trashëgimia kulturore për qeverinë Komunale në Viti, duke potencuar se kjo komunë është e pasur në këtë aspekt.
“Ne i kemi kushtuar vëmendje të veçantë trashëgimisë Kulturore në Viti, dhe mund të them se fatmirësisht se komuna jonë posedon një thesar të çmueshme në fushën e trashëgimisë kulturore. Ne jemi të përkushtuar që ti kushtojmë vëmendje të veçantë asaj por njëherit kërkojmë që edhe Institucionet qendrore të na ndihmojnë në këtë drejtim pasi që në territorin e Komunës sonë ndër tjerash gjenden dy shkollat më të vjetra në Kosovë si ajo në Stubëll dhe Pozheran“, u shpreh Haliti.
Ndërkaq Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport e Komunës së Vitisë, Kaltrina Sylejmani tha se Drejtoria të cilën e udhëheq ajo është përkushtuar që çështjet e trashëgimisë të marrë shumë seriozisht.
“Trashëgiminë kulturore duam ta trajtojmë ashtu siç edhe e meriton ajo, dhe atë jo vetëm me debate por shumë seriozisht me investime. Por duhet të kemi parasysh se Komuna e Vitisë nuk ka kapacitetet që ti mbuloj vetë këto investime”, u shpreh Drejtoresha Sylejmani.
Për rëndësinë që ka trashëgimia kulturore dhe bashkëpunimin ndërinstitucional në këtë fushë kanë folur përfaqësues të ndryshëm si: Vjollca Aliu, Drejtoresh e Trashëgimisë Kulturore në kuadër të MKRS-së, Enver Rexha, Drejtor i Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Trashëgimisë Kulturore dhe Merita Limani si dhe Michele Bergdoll nga Komisioni Evropian.
Gjithashtu në këtë takim kanë marrë pjesë mysafirë nga Komuna e Ferizajit, Gjilanit dhe Junikut të cilët dhanë kontributin dhe provojnë e tyre në këtë fushë. Ndërkaq në fund të këtij takimi u dhanë edhe disa rekomandime si: Rishikimi i listave të trashëgimisë kulturore, krijimi i dosjeve arkeologjike, ndërlidhja e bashkëpunimit ndërinstitucional, ngritja e vedijës për ruajtjen e trashëgimisë, promovimi i lokaliteteve të vjetra etj.
Gjithashtu gjatë kësaj konference është shfaqur edhe një videoincizim që paraqet pasurinë e trashëgimisë kulturore në Viti si në objektet e kultit, varrezave, veshjeve tradicionale, vegla pune, instrumentet muzikore tradicionale etj. /2L ONLINE/