Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve Rr.G., A.Sh. dhe H.Sh., në afat prej 30 ditësh nga Gjykata Themelore në Gjilan.
Sipas kërkesës, dyshohet se i pandehuri Rr.G., roje pylli në Kamenicë, më 09 Shtator 2023, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar ka tejkaluar kompetencat e veta, duke lëshuar dy fletë përcjellje, në emër të dy pronarëve të dy kompanive, me qëllim të sigurimit të alibisë për transportimin e drunjëve, të cilat ishin ngarkuar në një parcelë tjetër, e që janë në kundërshtim me lejen për prerjen e drunjëve të lëshuar nga Autoriteti Pyjor në Kamenicë, ashtu që pas kontrollit është vërtetuar se masa drunore në sasi prej 26 m3 e cila ishte duke u transportuar dhe që ishte ndalur për kontrollë nuk përkonte me fletë përcjelljet.
Me këto veprime dyshohet të ketë kryer veprën penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Ndërsa, të pandehurit A.Sh. dhe H.Sh., me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, me dashje kanë bërë prerjen e malit, me qëllim të vjedhjes së masës drunore në sasi prej 26 m3, e që dyshohet se përmes rojës së pyllit, tani të pandehurit Rr.Geci kanë arritur të siguronin dokumentacionin për transportimin e masës drunore.
Të njëjtit dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ‘’Vjedhja e pyllit’’ të KPRK-së.. /2LONLINE/