Prokuroria Themelore në Gjilan, njofton se mbrëmë, rreth orës 19:00, është ndaluar i dyshuari L.Z., për shkak të dyshimit se ka ushtruar dhunë fizike ndaj të dashurës së tij.
Ekziston dyshimi i bazuar se, më 24 janar 2019, në fshatin Kufcë, komuna Gjilan, i dyshuari L.Z., për shkak të një mosmarrëveshje, me dashje dhe në vazhdimësi ka përdorur forcën ndaj të dashurës së tij, tani të dëmtuarës A.I., në atë mënyrë që pasi me veturë shkojnë në dalje të fshatit, me një shufër metalike, e godet në kokë dhe në pjesë të ndryshme të trupit, si dhe një ditë më pas, duke shkuar në drejtim të Prishtinës, i njëjti prapë përdor dhunë fizike ndaj saj, duke e goditur disa herë me grushte në kokë dhe trup, me ç’rast me të arritur në Prishtinë, e dëmtuara arrin që të ikë nga i dyshuari.
I njëjti me veprimet e tij, i ka shkaktuar të dëmtuarës lëndime trupore, për të cilat është detyruar të kërkojë ndihmë mjekësore në QKUK, në Prishtinë dhe në Emergjencën e Spitalit Regjional, në Gjilan.
Në këtë mënyrë, dyshohet se i njëjti, në vazhdimësi ka kryer veprën penale, ‘’Lëndim i lehtë trupor’’, nga neni 188 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 pika 1.4 lidhur me nenin 81 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Prokuroria Themelore në Gjilan, ndaj të dyshuarit, sot ka paraqitur kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, në kohëzgjatje prej 30 ditësh, në Gjykatën Themelore në Gjilan.