Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata Themelore në Gjilan, ndaj të pandehurit D.I., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale ‘’Vrasja e rëndë’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas kërkesës, dyshohet se më 15 Janar 2021, rreth orës 20:40 minuta, në fshatin Izvor Komuna e Novobërdës, i pandehuri D.I., ka privuar nga jeta tani të ndjerin K.I., në atë mënyrë që e ka goditur 12 herë me thikë në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse.
Me këto veprime, i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale të sipërshënuar. /2LONLINE.com/