“Ne i kuptojmë plotësisht kërkesat e juaja si shumë të arsyeshme, të cilat kryesisht lidhen me nivelin qendrorë të qeverisjes së Republikës. Lirimi nga pagesa për peronizim është i pamundur në këto momente, sepse mbetet burim i vetëm për funksionalizimin e stacionit të autobusëve. Subvencionimi juaj dhe mbyllja e stacionit nuk është formë e mirë e reagimit, e cila nuk i kontribuon interesave të juaja as të qytetarëve tanë”, thotë nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli në një adresim Shoqatës së Transportuesve.
Ai shtoi se inspektorët komunal bashkë me Policinë e Republikës, janë në teren të vazhdueshëm kundër taksive ilegale, në mënyrë që mos ju dëmtojnë ju si shoqatë, por edhe taksitë legale. “Protesta juaj e sotme, me sirena të mëdha nëpër qytet, dhe bllokimi i komunikacionit, është formë e papranueshme dhe se shqetësimet e reagimet qytetare ndaj kësaj forme janë të mëdha”, ka thënë tutje nënkryetari Ismajli.
Sipas tij, sirenat dhe bllokimi i komunikacionit të qytetit, është formë demode e ngritjes së shqetësimit tuaj. “Do të vazhdojmë të jemi bashkë në tavolinë, deri në arritjen e realizimit të kërkesave tuaja, të cilat janë në kompetencë të Komunës së Gjilanit, e jo në këtë formë e cila nuk na shpie askund”, ka thënë nënkryetari i komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli.
Përndryshe, Shoqata e Transportuesve “Anamorava” në Gjilan është duke defiluar me autobusë nëpër qytetin e Gjilanit si shenjë pakënaqësie se nuk po mbështeten nga pushteti lokal e qendror pas humbjeve që i pësuan nga pandemia.
Kërkesat e tyre janë; mbulimi i shpenzimeve pas vendimit që Qeverisë së Kosovës për mbylljen e transportit për 77 ditë shkaku i Covid-19, pastaj kompensimi i 50% i kapaciteteve të autobusëve pasi ekzekutivi qendror vendosi në shfrytëzimin e vetëm 50% të kapaciteteve të autobusëve.
Kërkesë tjetër është edhe lirimi nga pagesa e peronizimit nga Komuna e Gjilanit gjatë kohës pandemike si dhe ndalimi i operimit të taksave ilegale. /2LONLINE.com/