Kënga e mirëpritur tani më është publikuar ne YouTube me titullin “Kënga e Dorës” me 23 nëntor 2020 nga kompozitori Agron Elezi. Përndryshe ky kompozitor, ne vitin 2018 është klasifikuar si kompozitor elitarë dhe finalist ne konkurrencën botërore të konkursit internacional “Creative Composer” të organizuar nga Italia dhe Spanja me kompozimet “Ikja e Vashës Kosovare” dhe “1468”.
Shkruan: Bekim Rexhepaj
Kuptimi i këngës & analiza e lirikës
Këtu kemi të bëjmë me një këngë të gjallë, harmonike, të thjeshtë dhe te kapshme, si karakteristikë e kompozitorëve te pastër dhe plotë madhështi të aftësive muzikore, Teksti, që n’dukje është i thjeshtë, duke evokuar mesazhin fisnik shqiptar te trashëguar nga rilindësit, por, në të njëjtën kohë ka thellësi të veçantë, sepse përkon me kahjet humanitare revolucionare të botës moderne.
Kënga fillon në frymën rilindase me vargjet e Naim Frashërit për gjuhën tonë të ëmbël, e që janë familjare për çdo shkollar shqiptar, si të vogël si të madh. Pastaj vazhdon me mesazhin e prejardhjes dhe stërgjyshërve tanë, e që gjithashtu ka qenë temë e vazhdueshme artistike e poetit tone të madh Naimit – në rizgjimin, kultivimin, mbajtjen gjallë, dhe kujtimin e vendeve tona, dhe heronjve kyç tanë ndër më të ndritshmit, për zgjimin e dinjitetit dhe forcës, mu ne kohen e formësimit të shteteve në baza nacionale, kur tokat dhe populli ynë sakatosej nga interesat dhe planet e superfuqive te Evropës në marrëveshje me armiqtë sllav, fqinjë tanë.
Paralelisht, vargjet e para te këngës nxjerrin ne pah edhe një kuptim me te avancuar bashkëkohorë. Te kujtosh Naimin dhe vargjet e tij, është sikur të rikujtosh pastërtinë e gjuhës sonë, origjinalitetin ton[ dhe shpirtit tonë. Ne ditët e sotme, kur industritë e huaja muzikore të fuqishme ndikojnë me të madhe në rininë tonë dhe kahjet e tyre artistike, ky mesazh ndjell shpresë dhe fuqi në rimëkëmbjen e artit tonë, origjinalitetit tone qe ka për baze mbijetesën dhe rrënjët e tona të fuqishme historike.
Kujtoj poetin Naim
Dhe Pirron bashkë me Skënderbenë
Këndoj me plot mallëngjim
Epirin me Morenë
Nëse kanë patur guxim dhe vullnet qe Pirroja dhe Skënderbeu ynë t’i kundërvihen superfuqive dhe ndikimit te tyre pushtues ne ato kohëra, jemi edhe ne, stërnipërit e tyre, që munden te nxjerrin ne pah origjinalitetin e tyre artistik përkundër pushtimit dhe ndikimit te superfuqive industriale te artit. Pra kujtoni ata, stërgjyshërit e guximshëm – Pirron dhe Skënderbenë.
Strofat e tjera si më poshtë vazhdojnë të japin mesazhin e prejardhjes sonë fisnike, dhe përkujton të kundërtën e asaj që pushtuesit vazhdimisht janë mundu: të na poshtërojnë dhe shuajnë lavdinë dhe krenarinë tone, si krijues te zotnave dhe luftëtarë të shquar qe nga Akili e deri te Adem Demaçi, duke abuzue me emrat e heronjve tanë ne baza fetare, duke cenzurue çdo vlerë shqiptare, duke vjedhur historinë tone, e që fatkeqësisht ka mbet zyrtarisht akoma e shtrembëruar. Aq më shumë, jo vetëm që historia e vërtetë do të dëhmon se luftëtarët më të shquar të historisë njerëzore i takojnë flakës dhe tymit të madhështimit të popullit tonë, por në anën tjetër, mu ky popull ka falur edhe simbolin më të madh të mëshirimit human, Gonxhe Bojaxhiun, Nënën Terezë – qiriun e mishërimit njerëzor. Pra të dy ekstremet e madhështive të karakterit njerëzorë rrjedhin mu nga ky popull, e që sot quhemi populli shqiptar.
S’jem t’pashpirtë as barbarë
As t’mjerë shkatërrimtarë
Jem hiri i Perëndisë
Oh! Bijat dhe bijtë e Arbërisë
S’jem djallëzorë as hileqarë
Përtacë as nepsqarë
Jem qirinj t’mishërimit
Hej! Flaka dhe tymi i madhështimit
Klimaksi dhe tejkalimi i mesazheve te lartpërmendura në një mesazh universal human arrihet në rreshtat:
Kem kodin tonë bujar
Për një botë t’bashkuar dhe të mbarë
Ajo që e dallon popullin shqiptar përkundër përpjekjeve të armiqve ne mjegullimin dhe turbullimin e historisë, është kodi mijëvjeçarë i jonë me vlera të larta njerëzore – Kanuni i Lekës. Dhe mu ky popull me traditë për kod dhe civilizim, në kohen kur popujt e tjerë të Evropës shquheshin si barbarë, është më se i gatshëm dhe më së lehti do t’pranojë një botë t’bashkuar dhe të mbarë me ligje te unifikuara. Pra, këtu mesazhi i thenë barrierat nacionale. Ndërkaq me strofën e fundit, autori kalon nga reflektimi nacional ne atë universal me thellësi të filozofisë poetike:
S’jem laikë as t’përçarë
Por unik dhe krenarë
Jem’ brumi i njerëzimit
Oh.. pluh’ri i yj’ve dhe amshimit
Është një fakt ende i gjallë qe shqiptarët janë fetarë të besimeve te ndryshme. Pra ka musliman, katolikë dhe ortodoks, si pasojë e vendit të tyre mu në portën e Perëndimit dhe Lindjes, në vatrën e luftërave fetare dhe racore. Aq më shumë shqiptarët, krijuesit e zotërave si Zeusi, Afrodita etj, nuk mund ti quajmë laik. Mirëpo, përkundër dallimeve fetare, ata mbeten unik me gjuhë, me kod, me plis të bardhë dhe me flamur.
Që nga antikuiteti, e deri në ditët e tona të shekullit 21, influenca e eposit te Homerit ishte jashtëzakonisht i madh. Iliada dhe Odhiseu shprehin arketipet e madhnishme te heronjve te popullit më të vjetër në Ballkan, respektivisht të fiseve tona. ku inspiruan dhe evokuan një mori të panumërt të veprave t’famshme ne literature, muzikë, art dhe film. Pra, brumi i njerëzimit ngërthen mesazhin e arketipit, gjenezës, pluhurin e yjeve dhe amshimit, apo prototipet pas të cilit vazhdon cikli i pakufishëm i kopjeve njerëzore.
Refreni i këngës shprehë vlerat e rëndësisë se mençurisë te njeriut modern.
Rroftë e qoftë mençuria
Dhe shkenca e arti i jonë
Rroftë e qoftë fisnikëria
Me paqe dhe dashni përgjithmonë
Mençuria diplomatike sjell lehtësim dhe komoditet për shtetin tonë. Njeriu jo i duhur, jo i prirur dhe i mençur në krye te çfarëdo detyre, e sidomos të atyre udhëheqëse shtetërore sjell pakënaqësi, zhgënjim, dëme dhe në fund, mjerim. Zhvillimi i shkencës, ekonomisë dhe artit sjell jo vetëm fuqi dhe stabilitet shtetëror, por lumturi dhe mirëqenje te gjithmbarshme. Pra, mesazhi i refrenit është mjaftë i fuqishëm për kohën tonë aktuale: Kemi nevojë ta shprehim mençurin, e jo përçamjen, fanatizmin dhe kështu naivitetin. Dhe ajo mund te arrihet kur i kemi njerëzit e duhur në pozitat e tyre të duhura, e jo anasjelltas. Në anën tjetër, fisnikëria shqiptare është e gdhendur në kodin tonë të kamotshëm, kur popujt tjerë njiheshin si barbarë. Dhe mu kjo fisnikëri do t’mbahet gjallë dhe do t’rimëkëmbet aq me shumë, sa më shumë të fitojë mençuria dhe pastërtia jonë.
Dhe në fund, aty ku sundon, mençuria dhe fisnikëria, aty sigurisht që do t’ketë paqe dhe dashuri.
Bekim Rexhepaj, muzikant dhe instrumentalist nga Gjilani.