Edhe pse shumëçka duket në për nguti, gjithçka gati sa e përmbysur dhe me vrull, befasuese nga zhvillimet e ngjarjeve politike brenda partiake por edhe ndërmjet subjekteve politike, të habitshme në qetësinë publicitare e besa edhe në vet koalicionet që deri dje trumbetonin aq gjakatare për njëra-tjetrën dhe me aq vrer e pezëm retorik provohej vulgariteti e tradhtia kombëtare sa që sot kemi jo vetëm lista të përbashkëta ndërmjet tyre por edhe besa bashkë më njëri tjetrin konak um’ konak po kuvendojnë gju më gju duke e promovu se mileti nuk ka kënd me e votu më të mirë dhe më të duhur se ta!
Arianit Sllamniku
Zakonisht në Kosovën e pasluftës e veçanërisht asaj të pas pavarësisë, për shkak të agjendave të ndryshme dhe konstalacioneve gjeopolitike në rajon, ju janë imponuar shumë lloj zgjedhjesh, formash të zgjedhjeve (herë duke votuar vetëm subjektin e pasta ja i ka deleguar deputetët, herë duke I rrumbullakuar nga pesë kandidat e herë nga dhjetë, herë një nga një) në nivel lokal e qendror, herë bashkë që të dyja, e herë ndaras, sa që nuk është çudi që nga dalja prej 86% ka rënë në 36% nga zgjedhjet e fundit.
Kush ishte dhe kush mbeti
Tani në emër të pastrimit të listave nga personat me të kaluar kriminale apo edhe nga personat me influencë negative në shoqëri, në këtë set hyjnë edhe personat profesionist, me moral të fortë dhe të palëkundur e intelektual të cilët nuk ju shkojnë për shtati atyre që I kanë në krye të piramidës vendimmarrëse brenda partiake.
Edhe pse është një votë dhe ajo duhet të jetë me vendosmëri për kandidatin apo zërin më të arsyeshëm brenda institucionit që vendos për fatin e vendit. Por kandidatë të tillë rrallë e pak kemi nëpër listat e ditëve të sotit, siç është rasti I z. Murat Hoxha që ishte zëri I arsyes, profesionist në fushën e gjeodezisë dhe I cili me shumë profesionalizëm e argumentoi mos votimin e demarkacionit me Malin e ZI.
Por I njëjti sot nuk gjendet në listën e kandidatëve për deputet, apo thënë më mirë, “të tillët sot askujt nuk I duhen” e aq më pak subjekteve politike që e kanë plot gojën prurje të reja dhe profesionale, e që në fakt ju konvenojnë Yes-men për të vazhduar tutje karvanin e zhvatjes institucionale të shtetit.
Kemi PDK-në që kandidaten e PDsë e kishte në listën e vet, zonjën Labinotë Demi Murtezi e cila po në atë listë mori 14 mijë e kusur vota e që as vet nuk kam ndonjë matematikë as ekzakte e as politike se si mund të bëhen ato me kaq pak kohë në dispozicion por një e di se e njëjta kandidate në listën tani ku është nuk besoj se merr 20% e votave paraprake, e që me jep një përfundim se trampolina e kandidatëve nuk nënkupton edhe transfer të votave aty ku u aterua sepse në rastin në fjalë, votat e lartëpërmendura “ju kanë dhënë hua një figure të caktuar politike për një kohë të caktuar”.
E si dhe nga kush ju janë dhënë, kjo mbetet të diskutohet por me plot siguri se nuk ka të bëjë më votën e drejtë për drejtë nga sovrani deri tek kandidati në fjalë!
Po ne, kënd t’a votojmë?
Para se të jap një përfundim mbi atë se kënd duhet votuar, së pari të marr guximin dhe të konkludoj se emancipimi politik pothuajse gati e ka arritur gradën e një qytetarie pluraliste me një shkallë të menaxhuar të elektoratit militantesk.
Derisa jemi tek tema se kënd duhet ta zgjedhim si zë profesionist, intelektual, të guximshëm (në fushat profesionale dhe jo për ndonjë ring boksi), dhe mundësisht të mos qëllojë demagog, pikë së pari nuk është qëllimi që të marr guximin të ju preferoj subjektet politike por brenda subjekteve të preferuara:
kandidatët e ideologjive titiste dhe enveriste duhet padyshim të lëshojnë parlamentin pluralist dhe të vijojnë ndonjë kurs të sistemit pluralist pasi që edhe sistemi I tanishëm është I tillë, andaj preferoj të tillët të mos votohen,
kandidatët që rrogën e parë të tyre e kanë përmes votës së qytetarit, (mos e voto sepse ai për atë pozitë jep gjithçka që I del para),
kandidatët që profesionalisht janë në nivel të lartë por gjatë tërë kohës janë treguar labil në qëndrime siç është rasti I interesit të shtetit dhe sovranitetit të tij,
kandidatët që përmes muskujve kanë arritur majat institucionale dhe kanë zënë vendin e intelektualit apo profesionistit të fushave të ndryshme,
kandidatët që moralin e votuesve janë munduar ta blejnë me para apo të mira tjera materiale, e që preferoj të mos bëheni pjesë e prostitucionit politik,
kandidatët që bindshëm kanë dëshmuar veprimtarinë e tyre në dëm të vendit dhe shtetit,
kandidatët që herë pas here na kanë fyer duke e mohuar identitetin e tyre kombëtar, fetar e besa edhe atë seksual.
Edhe pse lista mund të jetë edhe më e gjatë e filtrimit të kandidatit të duhur që të ju përfaqësojë si një zë professional, të guximshëm dhe të arsyeshëm, mendoj se gjatë pikat e lartpërmendura mjaftojnë që në këtë legjislatura të kemi pastrim të përgjithshëm jo vetëm të parlamentit por edhe të subjekteve politike që do të na përfaqësojnë brenda edhe jashtë vendit.
P.S. Se ç’më thotë një zë që për këtë legjislaturë në ardhje, gjithçka është e parapërgatitur!