Ndeshjen e javës së 30-të të Ipko Superligës së Kosovës në futboll, skuadra e Gjilanit e ka përmbyllur si është më së miri, pasi ka mundur Drenicën me rezultat 2 me 0, duke arkëtuar kështu tri pikë të reja dhe afruar kreut të tabelës, pasi tani për tani, 61 pikët e grumbulluara e rendisin në pozitën e dytë.
Kjo fitore bëhet edhe më e rëndësishme për faktin se në xhiron e radhës do të kemi derbin e dy skuadrave gjilanase, ku SC Gjilani do të ballafaqohet me liderin FC Drita.
Në ndeshjen e sotme kundër Drenicës, sulmuesi kuq e bardh, nga Bregu i Fildishtë, Keita Razak, ka realizuar dy gola (minutat 22′,34′), për tri pikë të reja për skuadrën e tij duke bërë që Gjilani ta ndjek pozitën e liderit. Por, cili do të jetë përfundimi kjo do të varet nga ajo se çfarë rezultati do të nxjerrë skuadra e Gentjan Mezanit, fillimisht në derbin me Dritën, pastaj edhe në ballafaqimet me Ballkanin e Flamurtarin.