Këshilli për të Drejtat e Njeriut në Luginë të Preshevës reagon ndaj kërkesës së organeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) drejtuar Gjykatës për Kundërvajtje në Preshevë, për inicimin e procedurës kundërvajtëse ndaj personit juridik “Iliri”, përkatësisht personit fizik – Ilirian Jusufi, si pronar i kafiterisë “Iliri” (Ish-“Club”), për siç pretendohet, shkeljen e nenit 41, pika 1, nën-pika 3 e Ligjit mbi dukjen dhe përdorimin e stemës, flamurit dhe hymnit të Republikës së Serbisë.
KDNJ rikujton se neni 79 i Kushtetutës së Republikës së Serbisë ia njeh njëherësh të drejtën pjesëtarëve të pakicave kombëtare për t’i shprehur veçoritë e tyre kombëtare, si dhe të drejtën e përdorimit të simboleve të tyre kombëtare në hapësirat publike. Një e drejtë e tillë është e garantuar edhe me të gjitha konventat ndërkombëtare, nënshkruese e të cilave është edhe Republika e Serbisë.
KDNJ vlerëson se referenca ligjore në të cilën bazohet në këtë rast Ministria e Punëve të Brendshme është jo vetëm në shpërputhje me Kushtetutën e Republikës së Serbisë dhe me konventat ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut; por është e orientuar qëllimshëm mbi nenin 41 të Ligjit mbi dukjen dhe përdorimin e stemës, flamurit dhe hymnit të Republikës së Serbisë; duke e ndërlidhur realisht me nenin 16 të Ligjit për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të pakicave kombëtare, që e ndalon përdorimin e simboleve kombëtare të cilat janë identike me simbolet e shteteve të tjera, shkruan portlai Titulli.
Këshilli për të Drejtat e Njeriut vlerëson se është e domosdoshme që sa më shpejtë të harmonizohet Ligji për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të pakicave kombëtare me Kushtetutën e Republikës së Serbisë, si dhe me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe të minoriteteve.
KDNJ shpreh gjithashtu dyshimin e saj ndaj procedurës së inicuar ndaj personit fizik Ilirian Jusufi në cilësinë e personit juridik, duke pasur parasysh se vetë organet shtetërore të sigurisë po vërtetojnë se zbatojnë përsëri standarde selektive, ngase më 28.11.2014, flamuri kombëtar shqiptar është ngritur edhe nëpër institucione shtetërore/publike në komunat e Preshevës dhe Bujanocit, mbase më të rëndësishme për nga përgjegjësia juridike; e si të tilla, ato nuk janë proceduar fare nga po i njëjti organ për të njëjtën vepër.
Këshilli për të Drejtat e Njeriut e fton Qeverinë e Republikës së Serbisë që sa më shpejtë të zgjidhë çështjen e përdorimit ligjor të simboleve kombëtare shqiptare në Serbi dhe t’i ndërpret metodat e vjetra të presionit dhe shantazhit në emër të shtetit ligjor.