Komuna e Kamenicës po vazhdon me punët përfundimtare për realizimin e projektit për zgjidhjen e problemit të qytetarëve për furnizimin me ujë të pijshëm
Në marrëveshje me Agjencinë Zvicerane për Bashkëpunim Zhvillimor dhe Kompaninë Regjionale të Ujësjellësit “Hidromorava”, po realizohet shtrirja dhe kyçja e sistemit të ujësjellësit në gjashtë fshatrat: Muçiverc, Dajkoc, Roganë, Hodonovc, Novosellë dhe Shipashnicë e Poshtme.
I pari i komunës, Qëndron Kastrati, tha se sot janë përmbyllur të gjitha punimet energjetike për furnizim me ujë në gjashtë fshatra të komunës sonë.
“Sot po përmbyllen të gjitha punimet energjetike në Muqiverc, e cila do të shërbejë për furnizim me ujë për fshatrat Roganë, Novosellë, Hodonoc, Muqiverc, Dajkoc dhe Shipashnicë e Poshtme”, tha ai.
Gjithashtu Kastrati shtoi se nga funksionalizimi i këtij rrjeti të ujësjellësit do të kyçen rreth 8076 banorë, apo mbi 25% e banorëve
“Mbi 25% të banorëve të Kamenicës, apo rreth 1900 ekonomi familjare, do të nisin kyçjen individuale të ujësjellësit, për të vazhduar më pas me rregullimin e trotuarit, asfaltit e punët tjera infrastrukturore, të cilat janë dëmtuar nga operatori gjatë shtrirjes së gypave. Këto lokalitete me 8076 banorë do të nisin furnizimin, dhe pritet të vazhdohet edhe me 2000 ekonomi familjare të tjera në Hogosht, Karaçevë e Epërme, Petroc e Busavatë!”, shtoi Kastrati. /2LONLINE.com/