Pesë hektarë tokë shtetërore në Komunën e Kamenicës janë kapluar nga zjarri. Ekipet e zjarrëfikësive kanë dalë në vend të ngjarjes për të reaguar në mënyrë që zjarri të mos përhapej.
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati duke i lutur qytetarët që të kenë kujdes dhe të mos shkaktojnë zjarre, ka thënë se veprimet e tilla janë shqetësuese dhe të dëmshme për natyrën e mrekullueshme që ka Kamenica.
“Nga Policia e Kosovës kemi pranuar lajmin që pesë hektarë tokë shtetërore, janë kapluar nga zjarri. Ekipet e Zjarrëfikësve kanë shkuar menjëherë në vend të ngjarjes për të intervenuar në mënyrë që zjarri mos të përhapej. Veprimet e tilla janë shqetësuese dhe të dëmshme për ambientin e natyrën e mrekullueshme që Kamenica ka. Lus qytetarët që të kenë kujdes maksimal dhe të mos shkaktojnë zjarre nga djegia e hamulloreve e mbeturinave. Në këto temperatura thatësia është e madhe dhe zjarri mund të përhapet shpejt”, ka thënë Kastrati.
Ta ruajmë ambientin, të jemi të ndërgjegjshëm ndaj botës bimore e shtazore.