“Nën organizimin e Besim Rexhiqit nga shoqata Koretini, pata mundësinë dhe nderin të takoj Shoqatat Humanitare të Kamenicës në Zvicër. Përfaqësues e anëtarë të shoqatave Koretini, Topanica, Busavata, Kopërrnica, Rogana, Karaqeva, Muqiverci, Hodonoci, Hogoshti e Novosella morën pjesë në këtë takim”, ka bërë të ditur kreu i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati.
Ai ka thënë se ishte diskutim e debat disa orësh, shumë i frytshëm e i nevojshëm ku ka shprehur nevojën dhe rëndësinë e madhe të investimit të diasporës në Kamenicë e Kosovë.
Kastrati i ka njoftuar me disa mundësi që ka komuna e Kamenicës dhe ka shprehur gatishmërinë absolute të komunës për ndihmë dhe lehtësim të procedurave.
Ai tha se përveç investimeve financiare shumë e nevojshme është edhe kapitali njerëzor që tashmë vepron në Zvicër dhe është shkolluar në shkollat më të mira të këtij vendi.
Kastrati ka shtuar se janë dakorduar që të kenë komunikim shumë më të shpeshtë. Të mbajnë mbledhje të rregullta përmes platformave elektronike. Të përfshijnë diasporën në punët e përditshme të komunës dhe në komitetet funksionale që ka komuna.
“Jam thjesht i mahnitur nga arritjet dhe integrimi i bashkatdhetarëve tanë në Zvicër. Shumë shpesh ne nuk jemi të vetëdijshëm se shumë shqiptarë punojnë në nivele të larta të kompanive të suksesshme. Duhet të jemi përjetësisht falënderues por duhet të jemi insistues që vullnetin e tyre për ndihmë të mos e keqpërdorim”, ka thënë kreu i komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati.