/2L ONLINE/ – Drejtoria Komunale e Arsimit është në vazhdën e punëve konform planifikimit vjetor, duke përfshirë këtu angazhimet konkrete për investimet në infrastrukturë, pajisje me inventar dhe mjete konkretizimi, investime në cilësinë e arsimit dhe aktivitete të tjerë në krijim të kushteve më të mira për nxënës dhe mësimdhënësit.
Ushtruesja e detyrës së drejtorit të kësaj Drejtorie, Shqipe Kastrati Haziri, ka thënë se gjithçka është duke shkuar në kuadër të përmbushjes së plotë të planit vjetor të drejtorisë.
“Gjithçka po shkon sipas planit vjetor të punës. Suksesi i nxënësve në gjysmëvjetorin e dytë ishte i knaqshëm dhe i ndarë sipas viteve të shkollimit është si vijon: suksesi për klasat nga një deri në klasën e pestë është 99.19 për qind pozitiv shprehur në notë vlerësuese është 4.61, pastaj për klasat gjashtë deri në klasën e nëntë është 97.46 për qind pozitiv, ose me notë mesatare 4.00, dhe për klasat dhjetë deri në klasën e dymbëshjetë është 85.24 për qind, apo me notë mesatare 3.59. Pra kur marrim një mesatare të përgjithshme del se suksesi pozitiv i nxënësve nga klasa e parë deri në klasën e dymbëshjetë është 94.54 për qind, ose nota mesatare 4.06”, tha ajo duke potencuar se është sukses mjaft i lartë në nivel të Komunës.
Në raport me inventarin, investimet kapitale dhe me kuadrin e pranuar, Haziri ka thënë se edhe në këtë aspekt Gjilani po ecë mjaft mirë falë mbështetjes së fuqishme nga kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.
“Kur marrim parasyshë që kemi renovuar 23 shkolla të Gjilanit, rregullim të kampusit të shkollave të mesme, punët në ndërtimin e çerdhes në lagjen “Dardania”, aneksi në shkollën e Poneshit, palestrat sportive në dy shkolla “Abaz Ajeti” dhe shkolla në Pogragjë, por edhe punë të tjera që po bëhen në infrastrukturë sportive dhe rekreative në shkolla të ndryshme lë të kuptohet se është një vlug i madh i punëve për kushte më të mira për nxënës dhe mësimdhënës. Inventari me karrige dhe tavolina, por edhe pajisje të teknologjisë në bazë të nevojave të shkollave kemi përfitues një numër të madh shkollash. Përfituese në këtë rrafsh janë shkolla “Musa Zajmi”, “Abaz Ajeti”, “Abdullah Tahiri”, “Rexhep Elmazi”, “Thimi Mitko”, “Xhavit Ahmeti”, “Zenel Hajdini”, “Marin Barleti”, “Mehmet Isai”, dhe shkolla të tjera” tha mes tjerash Shqipe Kastrati Haziri.
Ajo ka potencuar se edhe sa i përket regjistrimit të nxënësve në klasën e parë dhe të dhjetë, gjithçka ka shkuar në rregull dhe në bazë të përgatitjeve tona si Drejtori sikur që edhe pranimi i kuadrit mësimor është conform rregullit të rekrutimit të mësimdhënësve, konform përcaktimit të ligjit. /2L ONLINE/