Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, së bashku me u.d drejtorin e Drejtorisë për Shërbime Publike, Ambient dhe Inspektorat, Hysen Jerliu, shefin e kabinetit Meriton Ramabaja, dhe drejtorin e njësisë së Hidromoravës në Kamenicë, kanë vizituar vendin ku po kryhen punimet për rregullimin e ujësjellësit në fshatrat Muçiverc, Shipashnicë e Poshtme, Dajkoc, Roganë, Novosellë e Hodonoc.
Kryetari Kastrati ka thënë se po bëhet zgjidhja e ujësjellësit edhe për këto fshatra.
“Edhe për gjashtë fshatra po e bëjmë zgjidhjen e ujësjellësit. Punimet në rregullimin e ujësjellësit në fshatrat Muçiverc, Shipashnicë e Poshtme, Dajkoc, Roganë, Novosellë e Hodonoc, janë duke vazhduar sipas planit. Bashkë me kolegët e kabinetit dhe drejtorin e njësisë së Hidromoravës në Kamenicë, bëmë vizita në vendin ku po bëhen punimet. Sipas këtij projekti, banorët e këtyre lokaliteteve do ta kenë të zgjidhur çështjen e ujit. Vazhdojmë me punë”, ka thënë ai.
Ndërsa u.d drejtori Hysen Jerliu, tha se ky projekt ka rëndësi të madhe për banorët e këtyre fshatrave.
“Projekti në fjalë i cili është financuar nga Qeveria e Kosovës, në bashkëpunim me CDI dhe Komunën e Kamenicës, ka rëndësi mjaft të madhe për qytetarët e këtyre fshatrave, pasi që do ta zgjidh problemin e furnizimit me ujë në këto lokalitete”, ka thënë ai. /2LONLINE.com/