Kryetari i komunës Qëndron Kastrati, bashkë me ish presidenten Atifete Jahjaga, njëherit themeluese e “Fondacionit Jahjaga”, përfaqësues nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, drejtorin Arianit Ibrahimin, si dhe përfaqësues nga Ambasada Hungareze, morën pjesë në ceremoninë e hapjes së Qendrës Rinore në Kamenicë.
Kryetari Kastrati tha se është tejet i lumtur që nga sot kjo qendër, do të jetë një prej vendeve ku të rinjtë do të kalojnë kohën dhe do të organizojnë aktivitete të shumta.
“Jam tejet i lumtur që vajzave e djemve tanë po u mundësojmë hapësira të tilla me të gjithë infrastrukturën e nevojshme, që me pasion e dëshirë do ta bëjnë zhvillimin që duhet”, tha ai.
Sipas Kastratit, ky është një tjetër zotim i tij, i cili është përmbushur, dhe për këtë ka falënderuar drejtorin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Arianit Ibrahimin.
Ndërkaq, ish presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha se kjo qendër duhet të shërbejë si një vend ku të rinjtë tanë mësojnë dhe arrijnë suksese të shumta.
“Sot ne po hapim qendrën rinore të Kamenicës dhe jo rastësisht ne e kemi quajtur “Fanar”, sepse kjo hapësirë do të shërbejë si një udhërrëfyes për të ndërtuar dhe për të ngritur dijen për të rinjtë e Kamenicës dhe do të ndriçojë jo vetëm me njohuritë që do të marrin në këtë vend dhe në këtë lokacion, por edhe ju si të ri të Kamenicës do te zgjeroni edhe rrjetin e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të ideve që juve ju nevojiten për të ardhmen tuaj. Jam e bindur që kjo qendër rinore që do të jetë jo vetëm si një shembull i mirë për komunën e juaj, por jam e bindur plotësisht se do të jetë një pikë referuese i një shembulli të mirë edhe për komunat e tjera, duke u bazuar në rezultatet që ju do të jepni tash e tutje”, tha ajo.
E zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, tha se si ministri do të jenë afër të rinjëve gjithmonë, derisa i porositi ata të shfrytëzojnë hapësirat e kësaj qendre.
“Shpresoj që kjo qendër do të jetë plot gjallëri e plot aktivitete e shumë kreativitet nga ju. Të rinjtë e Kamenicës duhet të kenë një rol aktiv dhe shumë të rëndësishëm në mbushjen e kësaj qendre me aktivitete, andaj mos hezitoni asnjëherë me i shpreh idetë e juaja nga trajnimet profesionale e deri tek punëtoritë artistike”, pohoi Osmani.
Menaxheri i projekteve në Hungary Helps, Peter Zelei, tha se të rinjtë e Kamenicës tashmë do të kenë një vend të jashtëzakonshëm për të kaluar kohën.
“Si menaxher i projektit nuk po kam dëshirë të flas edhe shumë, bashkë me kolegët tanë puna jonë kryesore është të shkojmë në lokacionin e projektit dhe të shohim çka ka ndodhur dhe ne çfarë pamë sot është se pamë një vend të mrekullueshëm mbushur me njerëz të mrekullueshëm”, deklaroi ai.
Qendra Rinore është mundësuar nga Komuna e Kamenicës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Fondacioni Jahjaga dhe Hugary Helps. /2LONLINE.com/