Në ndeshjen testuese që luan të premten përfaqësuesja zvicerane e futbollit kundër Koresë së Jugut do të inkuadrohet që nga fillimi edhe Pajtim Kasami. Kjo do të jetë hera e parë që ai do të fitojë besimin e trajnerit Hitzfeld për të qenë titullar në një ndeshje ndërkombëtare.
Ky i fundit ka deklaruar nga Seuli për mediet zvicerane se do ta angazhojë lojtarin e ri, duke shtuar se në dritën e Kampionatit Botëror zviceranët nuk kanë shumë mundësi sprovash. Pas ndeshjes në Korenë e Jugut, ata do të kenë vetëm edhe një ndeshje testuese në muajin mars dhe një tjetër në maj. Kjo dhe është arsyeja përse ai do t`ua falë besimin e plotë disa lojtarëve të cilët u treguan të suksesshëm në sprovat e shkurtra në ndeshjet e fundit, shkruan albinfo.ch.
Hitzfeld në lidhje me të riun strugan ka thënë: “Pajtim Kasami, i cili së fundi ka luajtur mirë, do të luajë nga fillimi. Unë e shoh atë në pozicionin e 10-ës, pasi që edhe në Fulham ai mjaft shpesh paraqitet në sulm”.