“E dënojmë sulmin e sotëm që iu bë anëtareve të shoqërisë civile në Gjilan dhe gazetarit të kallxo.com, Taulant Osmani, gjatë protestës paqësore, si shprehje e qytetëruar dhe demokratike ndaj parregullsive të Komunës së Gjilanit në procesin e zhvendosjes së monumentit”, thuhet në fillim të reagimit të Iniciativës Qytetare “Kartoni i Kuq” që ishte pjesë e organizatave të shoqërisë civile që protestuan sot në Gjilan.
Shih: Protestojnë përfaqësues të shoqërisë civile
Përndryshe, ja reagimi i plotë:
E dënojmë sulmin e sotëm që iu bë anëtareve të shoqërisë civile në Gjilan dhe gazetarit të kallxo.com, @Taulant Osmani, gjatë protestës paqësore, si shprehje e qytetëruar dhe demokratike ndaj parregullsive të Komunës së Gjilanit në procesin e zhvendosjes së monumentit. Përdorimi i dhunës, sulmeve, kërcënimeve, fyerjeve dhe nxitjes përmes gjuhës së urrejtjes, për të penguar fjalën e lirë, të drejtën e shprehjes qytetare, dhe punën e gazetarëve gjatë raportimit të tyre, është e pa pranueshëme. Si të tillë ne e dënojmë.
Është e pa pranueshme sjellja e Kryetarit të Komunës së Gjilanit, i cili, në vend se të konsideroj sugjerimet e argumentuara nga OJQ-të e Gjilanit, i quan këto sugjerime “nga një grup të rinjsh” që nuk e njohin historinë. z. Lutfi Haziri, në deklaratën e lëshuar nga komuna fletë në emër të “Idriz Seferit” duke e polarizuar debatin. Kërkesa jonë është e qartë. Komuna duhet të reflektoj për shkeljet procedurale me rastin e zhvendosjes së shtatores.
Shkeljet janë: mos-informimi i publikut, mungesa e debateve publike, mungesa e procesverbaleve, mungesa e miratimit të zhvendosjes nga Kuvendi Komunal. Kryetari i Komunës, në vend të komunikimit, po promovon nxitjen e urrejtjes.
Një sqarim, ne, si organizator, i gëzohemi sjelljes së shtatores së Idriz Seferit. Në këtë rast, ne vetëm kërkojmë që zhvendosja e shtatoreve të bëhet në mënyrën e përcaktuar me rregullore, pra, të konsiderohen sugjerimet e argumentuara, e jo të nxitet urrejtje.
Ne kërkojmë që rasti të hetohet sa më herët nga institucionet relevante.