Karateisti i ri, Dren Ibrahimi, është një fitore larg medaljes së bronztë në kampionatin evropian të kadetëve, juniorëve dhe U-21, që sot ka nisur në Budapest të Hungarisë.
Ibrahimi shkëlqeu në grupmoshën e kadetëve, kategoria -57 kilogramë. Ai shënoi tri fitore me rezultat bindës, për t’u ndalur në gjysmëfinale.
Në luftën e parë mposhti 7:0 David Costache të Rumanisë, në të dytën mundi 5:3 Franciso Silvan e Portugalisë, në çerekfinale shënoi fitore bindëse 9:0 ndaj sllovenit, Kenan Isakoviq, ndërsa në gjysmëfinale humbi nga Farid Savadov i Azerbajxhanit, edhe pse rezultati ishte 3:3.
Ibrahimi tani pret fituesin që do të dalë nga repesazhi, për të luftuar për medaljen e bronztë. Sot janë duke u zhvilluar garat për kadetë.
Garuesit tjerë patën paraqitje solide. Fatjon Bajrami (-63 kg) shënoi një fitore dhe u ndalë në të dytën, ndërsa në luftën e parë u mposhtën Sefer Bajrami (-70 kg) e Kujtim Thaçi (-52 kg).
Federata e Karatesë e Kosovës po merr pjesë në evropian me 29 garues.