(2L ONLINE) – Me parullat “Tokat e huaja nuk i duam, por edhe tonat nuk i lëshojmë” dhe “Policia e Kosovës të patrulloj në rrugën e asfaltuar”, në Karaçevë të komunës së Kamenicës sërish është protestuar në mbrojtje të kufirit. Qytetarët e kësaj ane edhe njëherë kanë ngritur zërin për cenim të territorin e Kosovës në këtë anë e Selver Lenjani, kryetar i Këshillit të Fshatit, ka thënë se po protestohet në mbrojtje të vijës kufitare e kundër hyrjes së forcave serbe, të cilat shpesh po e shkelin kufirin në këtë anë.
Lenajni ka thënë se në protestë kanë marrë pjesë mbi 500 protestues, në mesin e të cilëve edhe Ismajl Kurteshi, deputet në Kuvendin e Kosovës, Sabri Kadriu, veprimtar i kësaj ane për bashkëpunim ndërkufitar, Azem Vllasi ish- funksionar i lartë i dikurshëm, i cili gjithashtu është me prejardhje nga Komuna e Kamenicës, e të tjerë dhe që të gjithë kanë kërkuar largimin e xhandarmërisë serbe nga kufiri i Kosovës.
Sipas tij, kërkesë e protestuesve është gjithashtu edhe që Policia e Kosovës të jetë e pranishme në afërsi të kufirit, që banorët të jenë të lirë për të punuar tokat e tyre e për të shfrytëzuar pyjet e tyre, ngase siç ka thënë ai, prania e xhandarmërisë serbe po ngjall frikë për banorët e kësaj ane.
Lenjani kishte ftuar për pjesëmarrje edhe organet më të larta të shtetit, por ata edhe kësaj radhe nuk i ishin përgjigjur thirrjes. Para të pranishmëve ka folur Azem Vllasi, i cili ka thënë se pjesa që po pretendon Serbia dhe xhandarmëria serbe ku po patrullon ajo aktualisht, gjithmonë ka qenë e Kosovës dhe institucionet e Kosovës duhet ta mbrojnë me çdo kusht këtë pjesë.
Sipas tij, policia e Kosovës duhet të lejohet të vëzhgojë dhe ruaj kufirin, sikurse dhe duhet ta mbikëqyr dhe mbrojë atë. Vllasi tha se kjo është tokë e jona dhe policia kosovare duhet të kalojë nga vija kufitare.
Sipas tij, institucionet kosovare nuk guxojnë të flenë dhe zyrtarët kosovar duhet ta definojnë së pari problemin me KFOR-in që insiston që ajo pjesë të mbetet kontestuese edhe më tutje pastaj duhet të trajtohet në nivelet politike përmes bisedimeve në Bruksel.
Ismajl Kurteshi, deputet në Parlamentin e Kosovës ka thënë se kufijtë e Kosovës nuk janë për t’u cenuar, por për t’u respektuar dhe jo sa herë që të dojë Serbia t’i shkel ato. Sipas tij, nëse xhandarmëria serbe vret çdo shqiptar që e kalon kufirin, atëherë edhe detyrë e Policisë së Kosovës është që ta ruaj kufirin, andaj edhe ai e ka ftuar policinë që të jetë e pranishme në kufi.
Ndërkohë që Selver Lenjani tha tutje se banorët janë të shqetësuar dhe se prania e xhandarmërisë serbe po e ngjall frikën e banorëve. Ai ka thënë se deri më tashti, forcat e xhandarmërisë serbe janë parë te vendet që i përkasin territorit të komunës së Dardanës, zonës kadastrave të Karaçevës, siç janë: “Çuka”, “Stani i Malushit”, “Rrezja”, “Varrezat e Spahovitëve”, “Ugari”, “Guri i Bardhë” e pjesë të tjera që janë territor i Kosovës.
Ai thotë se është e pakuptimtë se si xhandarmëria serbe hynë e del kur të dojë në pjesën që i përket territorit të Kosovës. Lenjani posedon një sërë hartash të të gjitha periudhave, nëpërmjet të cilave dëshmon se këto pjesë janë të Kosovës.
Protesta ka kaluar e qetë derisa është përcjellë edhe nga KFOR-i dhe policia e Kosovës. /2L ONLINE/