Keni pirë duhan për disa vite dhe mendoni se lënia e tij kaq vonë nuk mbron nga kanceri i mushkërive? E keni gabim! Në cilido moment që e leni duhanin ju vetëm se do të përfitoni. E vërteta është: Sa më herët e leni, aq më shumë do të përfitoni. Mjeku.Net ju sjell një artikull ku në nëntë pika përmbledh mitet dhe të vërtetat rreth kancerit të gjirit.
Mit: Nëse keni pirë duhan për disa vite, dëmi tashmë është bërë
Fakt: Kurrë nuk është vonë për të hequr dorë nga duhani. Lënia e duhanit ka dobi po thuajse të menjëhershme, përfshirë qarkullimin e përmirësuar dhe funksionin më të mirë të mushkërive. Rreziku nga kanceri i mushkërive fillon të bie me kalimin e kohës. Dhjetë vite pas lënies së duhanit, ish-duhanpirësit ulin për gjysmë rrezikun për të zhvilluar kancer të gjirit.
Mit: Cigaret ‘e lehta’ janë më të sigurta
Fakt: Cigaret e lehta, ultra-të lehta dhe ato me pak katran janë po aq të rrezikshme sa cigaret e zakonshme. Dhe kujdes nga menta: Disa studime tregojnë se menta në cigare mund të jetë më e rrezikshme dhe më e vështirë për t’u lënë. Ndjenja e saj e freskisë lejon duhanpirësit ta thithin cigaren më thellë.
Mit: Tymosja e marihuanës nuk e rrit rrezikun për kancer të mushkërive
Fakt: Tymosja e marihuanës mund të shtojë rrezikun për kancer të mushkërive, por ka nevojë për studime shtesë për ta qartësuar këtë. Shumë njerëz që tymosin marihuanë tymosin edhe cigare, dhe marihuana e ekspozon njeriun ndaj sasive më të mëdha të katranit dhe substancave tjera kanceroze, të cilat gjenden në cigare.
Mit: Antioksiduesit ju mbrojnë nga kanceri
Fakt: Bazuar në studime të shumta, një dietë e pasur me fruta dhe perime të pasura me antioksidues ndihmon në mbrojtjen nga kanceri. Por kur kërkuesit kanë testuar suplementët me antioksidues, kanë gjetur një rritje të rrezikut për kancer të mushkërive në mesin e duhanpirësve, të cilët kanë marrë suplementin beta-karoten. Bisedoni me mjekun para se të merrni antioksidues në formë të supelementëve (tabletash).
Mit: Llullat dhe purot nuk shkaktojnë kancer të mushkërive
Fakt: Tymosja e llullave ose purove jo vetëm që rrit rrezikun për kancer të mushkërive por po ashtu edhe rrezikun për kancer të gojës, fytit dhe ezofagut. Pirja e cilësdo formë të duhanit ju vendos juve në një rrezik më të madh edhe për sëmundje të zemrës edhe për sëmundje të mushkërive. Purot janë po aq toksike, ndoshta edhe më shumë se sa cigaret.
Mit: Pudra me talk shkakton kancer të mushkërive
Fakt: Kërkuesit nuk kanë gjetur lidhje në mes të kancerit të mushkërive dhe thithjes së pudrave me talk. Megjithatë, ekspozimi profesional ndaj azbestit, vinil-kloridit dhe substancave të tjera e rrit rrezikun për kancer të mushkërive.
Mit: Nëse diagnostikohesh me kancer të mushkërisë, lënia e duhanit nuk ndihmon
Fakt: Vazhdimi i pirjes së duhanit ul efektivitetin e trajtimit të kancerit dhe mund t’i përkeqësojë efektet anësore të tij. Duhanpirësit që u nënshtrohet ndërhyrjeve kirurgjike, për shembull, kanë më shumë probleme të shërohen nga plagët krahasuar me ish-duhanpirësit. Ata që tymosin derisa i nënshtrohen rrezatimit për kancerit të laringut, janë më pak të prirë për të rikthyer kualitetin e zërit normal. Në disa raste, heqja dorë nga duhani mund të largojë rrezikun për një formim të dytë të kancerit.
Mit: Stërvitjet nuk ulin rrezikun nga kanceri i mushkërive
Fakt: Aktiviteti i rregullt fizik mund të reduktojë rrezikun për kancer të mushkërive deri në 20 për qind, tregojnë studime të shumta. Po ashtu, stërvitjet përmirësojnë funksiononin e mushkërive dhe reduktojnë rrezikun për sëmundje të tjera, përfshirë sëmundjet e zemrës dhe goditjen në tru.
Mit: Ndotja e ajrit është shkaktari kryesor i kancerit të mushkërive
Fakt: Ndotja e ajrit të jashtëm është përgjegjëse vetëm për 5 për qind të rasteve me kancer të mushkërisë. Tymi i duhanit mbetet vrasësi më i madh nga kjo sëmundje.
Mit: Pirja e duhanit është i vetmi faktor rreziku për kancerin e mushkërive
Fakt: Shkaktari i dytë më i madh i kancerit të mushkërive pas duhanit, është gazi radioaktiv pa aromë i quajtur radon. I liruar nga gurët dhe toka e ndotur, ai mund të depërtojë nëpër shtëpi dhe ndërtesa të tjera. E vetmja mënyrë për të ditur nëse jetoni në nivele të rrezikshme të tij është të testoni shtëpinë ose zyrën tuaj.