Kompania “Adea fast food” në partneritet me Komunën një ambient të stërkequr e ktheu në mrekulli për Gjilanin. Veprat e mira ndryshojnë edhe mënyrën e jetës, në këtë rast jetën dhe kulturën shkollore
Shkruan: Nexhat Buzuku
Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri: “Me realizimin e këtij projekti Komuna dëshmon se është e interesuar që të kemi zhvillim të arsimit, cilësi, disiplinë, siguri, sikurse që do të krijohen hapësira të reja sportive, vende rekreative, garave të ndryshme, duke ndikuar edhe në shëndetin e nxënësve dhe duke u larguar nga rrugët devijante”.
Përfaqësuesi i ndërmarrjes “Adea fast food”, Mustafë Shala: Në fazën e parë investuam 840 mijë euro. Në fazën e dytë të projektit do të rregullohet rruga që lidhë Shkollën e Mesme Teknike, e cila do kalojë përskaj stadiumit të qytetit. Ndërsa në fazën e tretë do të ndërtohen dy fusha sportive, njëra e tipit të mbyllur dhe tjera në pjesën e poshtme të Gjimnazit “Zenel Hajdini”.
Ajo që ishte ide, projeksion, përfolje, konstrukt, plan, bëhet realitet – kampusi i shkollave të mesme tashmë ka ndryshuar, ka hijeshuar, i ka dhënë atribute estetike ambientit shkollor për nxënës, mësimdhënës dhe të gjithë segmentet tjerë që përbëjnë kulturën e shkollës. Kampusi, model në republikë, sepse është i vetmi aktualisht, ka krijuar mundësi për organizim të jetës shkollore, të kulturës shkollore, për ndërkomunikim e ndërveprimtari në mes të nxënësve, në një ambient të ndërlidhur dhe plotësisht të integruar të shkollave të mesme.
Kampusi ndryshon jetën shkollore!
Kampusi është mirëpritur nga nxënësit dhe prindërit, mësimdhënësit, drejtues të shkollave, nga DKA…Është konkludim i përgjithshëm se “ndërtimi i kampusit ndikon në ngritjen e cilësisë, të disiplinës dhe sigurisë për nxënësit”.
Që në fillimjavë ka pasur reflektim shumë pozitiv ambienti i ri, për të cilin, prindërit që erdhën me fëmijët e tyre, u shprehën të kënaqur. Skënder Otolli që kishte sjellur në dy shkolla të mesme, në klasën 10, dy fëmijët e tij, djalin dhe vajzën, tha të ndihej i befasuar për mirë me këtë ambient të bukur. “Vërtet po ndihem i lumtur që fëmijët këtu nuk mund t’i ngacmojë e kërcënojë askush nga jashtë shkollës”, u shpreh ai, duke qenë i bindur se në këto kushte të mrekullueshme për mësim nxënësit duhet të japin maksimumin në mësimnxënie, sikur edhe mësimdhënësit e tyre në mësimdhënie.
Edhe Adem Pireva nga Tugjeci i Kamenicës, që ka të regjistruara dy vajza në Shkollën e Mesme të Mjekësisë “Dr.Asllan Elezi”, u shpreh i kënaqur me ambientin që kishte ndryshuar krejtësisht pamjen përreth shkollave të mesme dhe të konviktit. “Po i lë vajzat këtu, në këtë ambient që nuk e kam parë askund. Jam shumë i lumtur që ato do të shkollohen në këso kushtesh të mira”, u shpreh ai, duke treguar se vajzat e kishte vendosur me banim në konvikt. “Të gjitha në një vend – shkolla, konvikti, ambiente të bukura me gjelbërim, kantina ushqimi, siguri, kjo më gëzon dhe kthehem në fshat pa drojë për sigurinë e vajzave”, ka thënë Pireva.
Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri ka thënë se “investimi është bërë përmes partneritetit publiko-privat dhe Komuna nuk ka kosto buxhetore në këtë rast”, ndërsa ka shtuar se është bërë zgjidhje edhe për qytetarët e lagjës “Dardania”, të cilët hyjnë e dalin rrugës që kalon nëpër ambientin e kampusit. Kreu i Gjilanit e ka vlerësuar shumë të rëndësishme që “nxënësit gjatë procesit edukativo-arsimor do të qëndrojnë brenda ambientit – nuk ka hyrje-dalje prej kampusit dhe nuk lejohet asnjë lloj shërbimi që nxënësit mund të rrezikohen, qoftë alkool apo duhan”.
Haziri bëri të ditur se në kuadër të këtij kampusi do të integrohen edhe shkolla e bujqësisë dhe ajo e arteve. Kryetari i Gjilanit ka kërkuar nga qeveria e Kosovës që të nis procedurat për ndërtimin e kampusit universitar në Gjilan, në mënyrë që të lirohen hapësirat e shkollave të mesme dhe kampusi shkollor të implementohet në tërësi.
Sipas Hazirit, “qëllimi është që të Shkolla e Bujqësisë dhe Shkolla e Arteve gradualisht të integrohen brenda kampusit dhe në të njejtën kohë të fillojmë planifikimin edhe të zhvendosjes së Universitetit “Kadri Zeka” në kampusin e tyre që është i planifikuar prej 7.2 hektarëve në tokën e kazermës së FSK-së”.
Një ambient tjetër, i ri, i këndshëm dhe shumë funksional…
Në hyrje të kampusit, te porta kryesore hyrëse sigurimi mbikëqyrë hyrje-daljet, ku krahas nxënësve, mësimdhënësve, personelit të DKA-së dhe konviktit mund të hyjnë prindërit që për ndonjë arsye të caktuar kthejnë në shkolla. Nxënësit e klasave të 10-ta janë të pajisur me kartela (bexha) identifikuese të lëshuara nga shkollat derisa të bëhen gati uniformat, ndërsa nxënësit e klasave të 11 dhe 12 hyjnë me uniforma. Gjatë pushimit të shkurtër nxënësit nuk mund të dalin jashtë shkollës, përveq në raste të domosdoshme – të arsyeshme.
Gjithçka ka ndryshuar. Ambienti duket krejt tjetër, i ri, shumë i këndshëm dhe funksional: stazat me kubëza, ishujt e blertë, nënkalimi, fusha sportive, kantinat e ushqimit, porta hyrëse-dalëse që na sinjalizon se në jetë gjërat janë të rregulluara në kohë dhe hapësirë dhe vetëm duke qenë kështu njeriu e kupton se ku e kur duhet ndalur…Jeta me orar, jeta me rregulla! Edhe çka tjetër do të ketë në kampus?
Mustafë Shala, nga ndërmarrja “Adea fast food”, që është investitor në këtë projekt të rëndësishëm në Gjilan, ka thënë se përkushtimi i parë ka qenë që puna në këtë projekt të jetë e pëlqyeshme dhe funksionale, që secili element i inkorporuar në të të jetë i ndërlidhur, që nxënësit dhe mësimdhënësit ta shohin, të ndjejnë e përjetojnë si ambient të këndshëm.
Shala tha se faza e parë e investimit është përmbyllur me sukses dhe në afatin e parashikuar. Në këtë fazë është punue në ambientin shkollor. “Kemi rregullue instalimin elektrik në Gjimnazin e ri (Gjimnazi Natyror “Xhavit Ahmeti”), nënkalimin që lidhë shkollat me njëra – tjetrën (Shkollën e Mesme Ekonomike ‘Marin Barleti” dhe Shkollën e Mesme të Mjekësisë “Dr. Asllan Elezi” e më vonë Shkollën e Mesme Bujqësore “Arbëria” dhe Shkollën e Mesme të Arteve “Adem Kastrati” me dy gjimnazet dhe Shkollën e Mesme Teknike “Mehmet Isai”, infrastrukturën e përgjithshme të ambientit shkollor – rrugët brenda kampusit, stazat me kubëza, ishujt e gjelbërt, objektet montazhë të ushqimit “fast food” (ushqim të shpejtë, pa alkool dhe duhan) për nxënës dhe mësimdhënës. Krahas tri objekteve (kantinave) ekzistuese ushqimore parshihet të ngrihet edhe një kantinë e tillë pranë Shkollës së Mesme Teknike “Mehmet Isai”, në mënyrë që çdo shkollë do të ketë kantinat e veta shërbyese ushqimore.
Në kampus, në ambientin e stërkequr dhe me gjola uji e deri në ishull moçalik, është ndërtuar fusha sportive për gara të nxënësve, është vendosur rrethoja dhe portat për hyrje-dalje në kampus. Ambienti para Shkollës Ekonomike dhe ish-Shkollës Bujqësore është fisnikëruar tërësisht.
Sipas Shalës, investimet e përgjithshme në fazën e parë kapin shifrën 840 mijë euro.
Në fazën e dytë, ka shtuar Shala, do të rregullohet rruga që lidhë Shkollën e Mesme Teknike përskaj stadiumit të qytetit. Ndërsa në fazën e tretë do të ndërtohen dy fusha sportive, njëra e tipit të mbyllur dhe tjera në pjesën e poshtme të Gjimnazit “Zenel Hajdini”.
Në kuadër të kampusit, aktualisht janë pesë shkolla të mesme, me numër të nxënësve prej 4850 dhe 330 mësimdhënës. Kampusit parashihet t’i bashkangjiten edhe Shkolla e Mesme e Bujqësisë dhe Shkolla e Mesme e Arteve në objektin e tashëm të Universitetit Publik “Kadri Zeka”, që pritet të zhvendoset në hapësirën e kazermës së FSK-së.
E këtu, ka shumë rëndësi që ambienti të mirëmbahet, gjithnjë. Që në hyrje të kampusit, pranë fushës sportive e përreth rrugës të mos lejohet parkingu i veturave. Krijimi i një parkingu të egër aty, natyrisht që pengon nxënësit në hyrje-dalje të kampusit. Është koha ta respektojmë ndryshimin, me kulturë e mirësjellje, sepse këtu nuk është si më parë. Ashtu siç është kampusi model për Kosovën, po ashtu qyteti duhet të jetë model për respektimin e vlerave, pra të kampusit! /2L ONLINE/