(2L ONLINE) – Gjithmonë në fokus të lajmeve janë gazetarët, ata që realizojnë tema të ndryshme që më pas montohen në televizione dhe transmetohen për publikun. Por, në fakt, po të mos jetë kameramani ai që kap momentet, e regjistron gjithë ngjarjen, do të ishte e pamundur qe te kishim lajme vizive.
Me 15-vite karriere mbi supe pranë TV-VALI në Gjilan qëndron Hamit Sadiku. Si shumë i ri ka filluar profesionin e kameramanit, por atë tani po e bënë me shumë zell dhe shumë profesionalisht, sepse e do punën e kameramanit dhe puna e do atë, ngase është i përkushtuar në të.
Nuk mund të ndodh diçka në Gjilan e ai të mos jetë aty bashkë me ekipin e tij, kolegë të televizionit VALI. Kamerën gjithmonë gati, nuk do që t’i ik asnjë detal. Regjistron çdo gjë që vlerëson se është e nevojshme dhe storia pastaj nuk ka si të mos del e plotë për publikun. Ka fiksuar shumë momente dhe ngjarje nga më të ndryshmet me kamerën e tij, ka përjetuar kënaqësi, por është ballafaquar edhe me shumë sfida. Por Hamit Sadiku nuk dorëzohet assesi. Punën e konsideron të shenjtë dhe në të është i përpiktë.
Mikun më të mirë e ka kamerën, pasi ajo si shqitej dot, por as ai nuk ndahet nga ajo aparaturë, me të cilën, lajmin e bënë të gjallë. I jep jetë stories dhe bënë që deri te shikuesi të jepet informacioni saktë e shumë qartë.
Ne karrierën e tij 15-vjeçare ka vizituar shumë vende dhe kudo ku ka shkuar ka regjistruar gjëra interesante. E shohim çdo ditë në rrugët e Gjilanit me kamerën në krah që tashme i është bërë pjesë e pandashme e tij.
I përkushtuar në një profesion pa orar, pasi në çdo orë kur e thërrasin për të xhiruar, ai është i gatshëm dhe prezent në vendngjarje.
Siç shprehet vet Sadiku, ka xhiruar gjithçka dhe gjithkënd, president e kryeministra, kryetarë komunash e bujq në ara, biznesmen e të papunë, familje me raste sociale e lypsa në rrugë… por se asnjëherë nuk ka bërë dallim, pasi tek xhirimi i ka interesuar vetëm profesionalizmi.
Natyrisht, si gazetarët edhe kameramanët ballafaqohen me sfida të ndryshme e pengesa për të ushtruar profesionin e tyre, Dhe, edhe Hamit Sadiku ka pas momente të tilla, kur ka pas tentativa për arsye të ndryshme të pengohet të xhirojë, por qetësia dhe butësia që e karakterizon këtë njeri, ka ndikuar që ai t’i tejkaloj ato sfida e pengesa dhe punën për të cilën është i thirrur, ta kryej me profesionalizëm.
Është lehtë të flasësh për Hamit Sadikun, kameraman në TV VALI, sepse ai është nga ata njerëz modest që të lënë pa fjalë me thjeshtësinë dhe humorin e tij. Ai e do kamerën, por edhe kamera e do atë. Bashkëjetojnë mirë, ani se ai filmon të tjerët dhe asnjëherë veten. Puna e kameramanit është e tillë, e Hamit Sadiku e bënë atë më së miri. /2L ONLINE/