Komuna e Kamenicës përkatësisht Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik dhe Diasporë në vazhdën e aktiviteteve të saj vazhdon të mbështesë projektin e Organizatës Joqeveritare Proactive me të cilën kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi.
Në kuadër të projektit “Rikthimi i prosperitetit përmes turizmit dhe trashëgimisë kulturore“ me datën 01 dhe 02 shkurt u mbajt moduli i katërt dhe njëkohësisht i fundit i trajnimit për turizëm.
Trajnimi u mbajt nga Profesori Idriz Kovaçi dhe Prof. Alberta Tahiri, ku u trajtuan tema të ndryshme si: Raste studimi nëpër botë rreth turizmit dhe zhvillimi i planit të biznesit.
Po ashtu u bë një vizitë në Roganë te familja e Xhevdet dhe Nexhmije Kallaba – “Kallabaguesthouse”, të cilët tash e një kohë mirren me turizëm.
Kallaba shpalosi për së afërmi se si ai i organizon guidat turistike, sidomos për gjermano-folësit, gjithashtu ai tha se turistët vinë me shumë paragjykime për shqiptarët, po kur preken nga mikëpritja në Kosovë ndahen shumë të kënaqur, dhe kjo është mënyrë më e mirë e shpërndarjes së informacionit me ne për traditën, kulturën dhe historinë tonë.
Njëkohësisht në kuadër të këtij trajnimi në fund u bë edhe certifikimi i kandidatëve në ambientet e njërit nga fshatrat e përzgjedhur për turizëm rural, në fshatin Tugjec – te “Kulla”.
Pjesëmarrësit u shprehën të kënaqur me njohuritë e marra nga trajnimi dhe u pajtuan që Komuna e Kamenicës i ka të gjitha potencialet për zhvillimin e turizmit dhe se duhet të punohet dhe investohet në këtë aspekt, me shpresën se nuk do të mungojë bashkëpunimi i ndërsjellë.