Për nder të 12 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, sot është mbajtur seancë solemne në Kuvendin Komunal.
Në këtë seancë kanë marrë pjesë, nënkryetari Faton Jakupi, kryesuesi i kuvendit, Albert Sermaxhaj, delegatë e qytetarë të Kamenicës.
Nënkryetari Faton Jakupi duke uruar përvjetorin e 12 të pavarësisë, ka thënë se shtetndërtimi kërkon punë, përkushtim dhe më shumë dashuri për atëdheun.
“Në këtë përvjetor të 12 të Pavarësisë së Kosovës, po kujtojmë jo vetëm ditën e Pavarësisë së shtetit tonë, po njëkohësisht po nderojmë të gjithë ata që bënë të mundur këtë ditë, brezat e tërë që e ndërtuan vizionin e Kosovës së Pavarur. E kemi obligim ta zhvillojmë shtetin në të gjitha fushat me synimin që të jemi të barabartë me të gjitha shtetet e tjera”, tha ai.
Pas seancës solemne nënkryetari Jakupi së bashku me drejtorët komunal kanë bërë homazhe tek varrezat e dëshmorëve.
Kurse për nder të kësaj dite, Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, ka organizuar edhe disa aktivitete dy ditore në Kamenicë.
Në mëngjesin e sotëm është mbajtur Turniri i Shahut, pastaj dita është përmbyllur me një koncert në Sheshin “Metush Krasniqi” në Kamenicë.
Po ashtu dje më 16 shkurt është mbajtur Turniri në ping – pong, në përkujtim të profesorit Musa Thaçi – SHFMU “17 Shkurti” në Muçiverc.