Komuna e Kamenicës është munduar t’iu bëjë zgjidhje nxënësve nga zonat më të thella, të cilët kanë pasur mungesë të pajisjeve teknologjike, e si shkak i kësaj nuk kanë pasur mundësi për ta ndjekur mësimin nga distanca, ka bërë me dije kreu i Komunës, Qëndron Kastrati.
Kastrati ka thënë se nxënësit nuk duhet të privohen nga mësimi dhe se u kanë dërguar kompjuterë nga kabinetet e informatikës.
“Nga kabinetet e informatikës në shkolla, kemi marrë kompjuterët për t’ua dërguar nxënësve përkohësisht, derisa të përfundojë situata e pandemisë e mësimi online. Pavarësisht të gjithave, nxënësit nuk duhet të privohen nga mësimi. Fokusimi në mësim duhet të jetë maksimal, prandaj mësoni e angazhohuni që në të ardhmen të korrni suksese. Ndoshta kjo nuk është zgjidhja më e mirë por secili lufton me atë që ka”, ka thënë Kastrati.