Klubi i Atletikës “Rogana”, nga Komuna e Kamenicës ka rrëmbyer një sërë çmimesh në gala mbrëmjen e organizuar nga Federata e Atletikës së Kosovës, me rastin e përzgjedhjes së atletit më të mirë të vitit 2018.
Atleti më i mirë për vitin 2018 u zgjodh Musa Hajdari, kurse Zijadin Kryeziu trajneri më i mirë për këtë vit.
Klubi atletik “Rogana”, u shpërblye me çmimin “Klubi i tretë më i mirë në nivel të Kosovës”.
Trajneri i Klubit Zijadin Kryeziu tha se është shumë i lumtur për çmimet e fituara.
“Jemi shumë të lumtur për çmimet e fituara edhe pse disa nga atletët kanë pasur pak probleme për shkak të lëndimeve që i kanë përcjellur ata gjatë vitit. Nuk mund të mos jem i lumtur kur mundi dhe djersa e derdhur nga të gjithë u kurorëzua me këto shpërblime shumë meritore”, tha ai.
Gjithashtu, nga kategoria U18 në vend të dytë u zgjodh Leon Thaqi, kurse tek veteranët Ilir Rrudhani kryeson i pari në listë.
Ndërkaq, në kategorinë e seniorëve Vijona Kryeziu dhe Astrit Kryeziu, rradhiten në vendin e dytë.
Trajneri Kryeziu tha se viti 2019 do të jetë vit edhe më i suksesshëm sesa ky që po lëmë pas, dhe se tani janë duke u pergatitur për garat ndërkombëtare.