Koordinatorja e NJKDNJ-së, njëherit edhe Zyrtare për Mbrojtje nga Diskriminimi, – Nazmije Demolli Kastrati në cilësinë e panelistes, ka përfaqësuar Komunën e Kamenicës në konferencën “Promovimi i të Drejtave të Njeriut dhe Parimet e Mbrojtjes nga Diskriminimi në nivel lokal”.
Kjo konferencë u organizua nga Zyra për Qeverisje të Mirë/Zyra e Kryeministrit (ZQM/ZKM) në bashkëpunim me Zyrën e Këshillit të Evropës dhe me mbështetje të Bashkimit Evropian.
Koordinatorja Demolli Kastrati në fjalimin e saj ka thënë se zyrtarët për të drejtat e njeriut dhe mbrojtje nga diskriminimi në nivelin lokal janë të angazhuar maksimalisht të kontribuojnë në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
“Në këtë projekt kemi pas rastin të ndjekim trajnime/punëtori të shumta të cilat kishin për qëllim forcimin e kapaciteteve të zyrtarëve për të drejtat e njeriut në nivel qendror dhe lokal duke zbatuar plotësisht kornizën monitoruese për politikat e të drejtave të njeriut. Një numër i trajnimeve kishte për qëllim të përgatisim raportin vjetor me të dhënat bazuar në kornizën e indikatorëve matës në zbatim të normave legjislative dhe veprimeve institucionale bazuar në Ligjin (05/L-021) për Mbrojtje nga Diskriminimi që i konsiderojmë shumë të rëndësishme. Korniza e monitorimit ka identifikuar tregues të sakte e të zbatueshëm të cilët do na japin pasqyrë të qartë të nivelit të zbatimit të legjislacionit, unifikimin e të dhënave të matshme dhe të krahasueshme ndër vite si dhe zbatimin e tyre në të gjitha nivelet institucionale”, ka thënë ajo.
Gjatë kësaj konference u prezantuan të arriturat kryesore të projektit dhe u ndanë certifikata për gjeneratën e parë të zyrtarëve që sukseshëm kanë përfunduar trajnimin për Mbrojtje nga Diskrimini në kuadër të Platformës Help të Këshillit të Evropës e në mesin e tyre edhe Koordinatorja e NJKDNJ-së, Nazmije Demolli Kastrati.
Projekti është mbështetur financiarisht nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe është implementuar nga Këshilli i Evropës gjatë periudhës Korrik 2022 dhe Qershor 2023. /2LONLINE/