(2L ONLINE) – Komuna e Kamenicës, dhe organizata zvicerane për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve “Terre des Hommes” nënshkruan sot marrëveshje bashkëpunimi. Marrëveshja është nënshkruar nga Kryetari i Komunës Begzad Sinani dhe përfaqësuesja e kësaj organizate për Kosovë dhe Shqipëri Zonja Jezerca Tigani.
Sipas kësaj marrëveshje Qendra për Punë Sociale në Kamenicë tani e tutje do ta ketë mbështetjen e organizatës “Terre des Hommes” me seli në Zvicër, në kuadër të projektit të saj në Kosovë.
Terre des hommes, delegacioni në Kosovë punon në fushën e mbrojtjes së fëmijëve në Kosovë që nga viti 2000. Qëllimi kryesor është që të përkrahen institucionet qendrore dhe komunale në krijimin e një Rrjeti të Sigurt për Mbrojtjen e Fëmijëve. Në këtë drejtim janë zhvilluar mekanizmat institucional për parandalim, detektim dhe referim të fëmijëve në rrezik dhe viktimave të neglizhimit, abuzimit, shfrytëzimit dhe trafikimit, në konflikt me ligjin, duke ju dhënë mbështetjen e nevojshme. Terre des Hommes ka themeluar në 12 komuna Tryeza për Menaxhim të Rasteve (Task Forca) ku rolin kyç për koordinimin e punës me akterë të tjerë e kanë Qendrat për punë sociale.” ka thënë Jezerca Tigani nga kjo organizatë.
Kryetari Sinani e ka vlerësuar lart përzgjedhjen që i është bërë Komunës së Kamenicës për t`u mbështetur QPS-ja në trajtimin e rasteve të shkeljes së të drejtave të fëmijëve. Projekti synon të themelojë një grup punues i cili do të udhëhiqet nga një zyrtar i QPS-së, koordinatorja për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, disa njësite të policisë, përfaqësuesi i Ministrisë së Drejtësisë, përfaqësuesi i DKA-së, Përfaqësuesi i Drejtorisë së shërbimeve sociale dhe shëndetësisë, OJQ-të lokale,psikolog, pedagog, dhe organizma të tjerë. /2L ONLINE/