/2L ONLINE/ – Komuna e Kamenicës së bashku me projektin DEMOS ka organizuar takimin e parë të grupeve drejtuese dhe punuese për hartimin e planit të mobilitetit. Nënkryetari i Kamenicës Fatmir Matoshi, ka falënderuar qeverinë zvicerane për mbështetjen që i ka dhënë Kamenicës në të gjitha fazat që nga viti 2006.
“Hartimi i planit të mobilitetit do të jetë një mundësi më e mirë që qyteti të orientojë drejt zhvillimin e hapsirave të veta duke ia përshtatur nevojave të qytetarëve. Komuna do të mbështes fuqishëm punën e këtyre grupeve dhe do të lehtësojë aktivitetin Tuaj gjatë punës” tha nënkryetari Matoshi.
Ermira Salihu nga projekti DEMOS, ka thënë se Qeveria Zvicerane do të mbështes Kamenicën në hartimin e këtij plani i cili është një model i ri i planifikimit në Kosovë.
Plani i mobilitetit do të hartohet konform Planit Zhvillimor Komunal dhe Planit Urban Komunal, ka thënë drejtori i Urbanizmit Ilir Kastrati. Drejtori i Shërbimeve publike dhe inspektoratit Faton Jakupi ka thënë se është i kënaqur që kërkesa e drejtorisë është aprovuar nga DEMOS dhe grupi punues do të punoj që ky plan të përfundohet sa më shpejt.
Plani i mobilitetit do të përcaktoj vendakalimet, rrugët për biciklistët, trotuaret për këmbësorët, trafikun motorik dhe mundësi të tjera të lëvizjes. Plani do të përfundoj në pjesën e dytë të këtij viti, pas një sërë debatesh me qytetarët.
Ecurinë e projektit e prezantoi Mr. Mevlan Bixhaku nga kompania Ekoinvest e angazhuar nga DEMOS./2L ONLINE/