Deputeti shqiptarë në parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi ka drejtuar disa pyetje për qeverinë e republikës së Serbisë. Në seancën e sotme plenare Kamberi ka kërkuar sqarime për vendimin e përpilimit të planit hapësinorë me qëllim të veçantë të qendrës regjionale për trajnimin e njësiteve për operacione (ushtarake) multinacionale – Baza “Jug, shkruan Titulli.com.
Ai gjithashtu përmendi edhe raportit e fundit të BE-së ku thuhet se ky rajon vazhdon të mbetet i pazhvilluar ndërsa popullata etnike shqiptare edhe më tej mbetet e papërfaqësuar nëpër institucionet publike”.
“Çka do të ndërmerr Qeveria, si përgjigje ndaj këtij konstatimi të Raportit të progresit, i cili njëkohësisht përfaqëson edhe kërkesat e përfaqësuesve shqiptarë të Luginës së Preshevës”, pyeti mes tjerash deputeti Kamberi.
Pyetja e deputetit Shaip Kamberi në Seancën e 8 dhjetorit 2015
Pyetja ime e sodit i dedikohet Qeverisë së Republikës së Serbisë:
Me datë 29 Maj të vitit 2015, Qeveria e Republikës së Serbisë, nën numrin 05 me numër 350-854/2015, ka aprovuar:
VENDIMIN mbi përpilimin e Planit hapësinorë të zonave me qëllim të veçantë të qendrës regjionale për trajnimin e njësiteve për operacione (ushtarake) multinacionale – Baza “Jug”.
1. Kufiri i Planit hapësinor, siç është përmendur në VENDIM, përveç pjesëve të qytetit të Vranjës (të gjithë pjesët kadastrale të vendeve: Beli Breg, Vratagosht (pjesën e epërme dhe të poshtme), Dubnicë, Katon, Milivojcë, Cestelik, dhe një pjesë kadastrale të komunës së Davidocit) do të përfshijë edhe komunën e Bujanocit (të gjithë pjesën kadastrale të: Bogdanocit, Novosellës së epërme, Novosellës së poshtme, Gjergjecit, Muhocit, Ramabuçës – të cilat ndodhen mbrenda Zonës toksore të sigurisë dhe fshatrat Negoc, Sebrat dhe pjesë kadastrale të: Bilaçit, Bozhinjevcit I, Bozhinjevcit II, Borocit, Bujanocit, Zhuzhelicës, Karadnikit, Levosojës, Letovicës, Llukarcës, Lilancës, Nesalcës, Rakocit, Samolicës dhe Srpska kuqës).
2. Qëllimi kryesor i këtij planifikimi, sikur është cekur në VENDIM, nënkupton “shfrytëzimin e hapësirave ekzistuese por edhe shfrytëzimin e potencialeve hapësinore të paangazhuara deri më tani për realizimin e misionit të Bazës “Jug”, duke respektuar principet e zhvillimit të qëndrueshëm hapësinorë”.
3. Qëllimet e veçanta, në mes tjerash, përfshijnë “sigurimin e kushteve hapësinore për ndërtimin, furnizimin (mobilimin) dhe funksionalizimin e objekteve në funksion të trajnimeve, integrimin e objekteve dhe aktiviteteve në kuadër të Bazës “Jug”, si dhe krijimin e kushteve për përforcimin e bashkëpunimit regjional dhe pozitën e Republikës së Serbisë në kuptimin e angazhimit nëpër operacione paqeruajtëse”.
Pyetja ime për Qeverinë e Republikës së Serbisë është:
A) Ajo që më intereson mua por sigurisht edhe qytetarët e Bujanocit është se a nënkupton ky Vendim militarizëm të mëtutjeshëm të kësaj komune?
B) Si do të ndikojë realizimi i këtij Vendimi në jetën e përditshme të qytetarëve të Bujanocit, në të drejtat e tyre, lëvizjen e lirë, në shfrytëzimin e pasurisë së tyre të tundshme dhe patundshme, a do t’i duhet qytetarëve leje e veçantë që të kenë qasje në pasurinë e tyrë të patundshme dhe a është vetadministrimi lokal në Bujanoc e njoftuar me këtë vendim?
II. Pyetja ime e dytë për Qeverinë ka të bëjë me Raportin e fundit të Komisionit Europian mbi progresin e Serbisë në drejtim të Bashkimit Europian:
Në faqen 69 të Raportit të Progresit për vitin 2015, ku flitet për situatën në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, në mes të tjerash thuhet: “Ky rajon vazhdon të mbetet i pazhvilluar ndërsa popullata etnike shqiptare edhe më tej mbetet e papërfaqësuar nëpër institucionet publike”.
Në kuadër të kësaj, pyetja ime është kjo:
* Çka do të ndërmerr Qeveria, si përgjigje ndaj këtij konstatimi të Raportit të progresit, i cili njëkohësisht përfaqëson edhe kërkesat e përfaqësuesve shqiptarë të Luginës së Preshevës?
Faleminderit.