Pas aprovimit të Dekretit të Qeverisë së Serbisë për “Mënyrat e veçanta të njohjes së diplomave” të fituara në institucionet arsimore në Kosovë, deputeti nga Bujanoci, Shaip Kamberi, ka kërkuar sqarime plotësuese dhe takim me përfaqësuesit e SPARK.
Kamberi, nga Asociacionin e Universiteteve Evropiane në Bruksel (SPARK), zyra në Prishtinë dhe Beograd, kërkon informacione mbi procedurat dhe mënyrat të cilat duhet t’i ndjekin gjithë ata që kanë diplomat nga institucionet e arsimit të lartë në Kosovë, sidomos studentët e Luginës së Preshevës, që shkollimi i tyre të njihet sa më shpejtë edhe në Serbi.
“Pas marrjes së informacioneve plotësuese nga SPARK dhe ministria e arsimit në Beograd, deputeti do t’i njoftojë të gjithë të interesuarit me informatat e nevojshme”, thuhet në njoftimin e vendosur në Facebook nga deputeti, transmeton Titulli.
Qeveria e Serbisë në nëntor të këtij viti ka aprovuar Udhëzimin për mënyrën e veçantë të njohjes së dokumenteve të shkollimit të lartë dhe vlerësimin e programeve studimore të Universiteteve në Kosovë.