Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës, Arsim Bajrami gjatë qëndrimit në Luginë të Preshevës ka ofruar përkrahjen e Qeverisë së Kosovës për një edukim më cilësor në këtë rajon.
Vizitën në Luginë, ministri Arsim Bajrami e filloi në selinë e Këshillit Kombëtar Shqiptar, me ç’rast u takua me kryetarin e këtij organi Jonuz Musliu, si dhe të përzgjedhurit tjerë.
“Kam ardhë për të ofruar mbështetjen e Qeverisë së Kosovës të gjitha shkollave, të gjitha autoriteteve që qeverisin nëpër shkolla, por edhe përfaqësuesve politik për ngritjen e standardeve të edukimit dhe cilësisë së edukimit”, u shpreh ministri Bajrami, gjatë qëndrimit në Komunë të Bujanocit, raporton Titulli.com.
Duke theksuar se është koha që edukimi dhe arsimimi duhet të tejkalojnë paragjykimet, ministri kosovar theksoi se do të dëshironte që nxënësit e Luginës të mos mbeten pa kujdes në procesin e edukimit.
“Kemi nevojë për një edukim cilësor, edukim Evropian, i bazuar në vlerat e tolerancës, mirëkuptimit dhe respektit reciprok. Të gjithë ne duhet të ecim përpara në rrugën evropiane. Nxënësit dhe studentët e Luginës kanë nevojë për kushte të mira të edukimit, për tekste të mira, mësimdhënës të mirë, për cilësi në mësim,për një gjithpërfshirje”, u shpreh ministri Bajrami.
Kryetari i KKSH-së Jonuz Musliu falënderoi ministrin Bajrami për mbështetjen, si të ministrisë njashtu edhe të Republikës së Kosovës. Ai me këtë rast shpalosi gjendjen e arsimit shqip në Luginë të Preshevës.
“Duke e ditë se me vite të tëra në Luginë të Preshevës nuk ka pas një arsim cilësorë, nuk ka pasë tekste mësimore cilësore, pasi janë përkthy viteve të fundit, por megjithatë edhe tekste që janë përkthyer nuk janë të mjaftueshme. Sa i përket shkollave të mesme nuk është i përkthyer asnjë tekst mësimor. Kështu është gjendja në Luginë të Preshevës ku mësojnë ende me tekste mësimore të viteve ‘74”, është shprehur kryetari i KKSH-së Jonuz Musliu pas takimit të zhvilluar me ministrin Bajrami.
Rreth problemeve në arsim, përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit të Kosovës i ka njoftuar edhe kryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi.
“Biseduam për problemet në arsim të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, njoftova ministrin për planprogramet, tekstet arsimore, regjistrimin e studentëve. Kemi marrë premtimin e ministrit se shqiptarët e Luginës së Preshevës të cilët kanë dëshirë të studiojnë në universitete të ndryshme të Republikës së Kosovës, nuk do të kemi probleme në të ardhmen, sikurse që s’kemi pas edhe deri më tani”, tha me këtë rast Arifi.
Pas qëndrimit në KKSH dhe objektin e administratës komunale, ministri Arsim Bajrami ka vizituar edhe shkollën e mesme, e vetmja në gjuhën shqipe në Bujanoc, “Sezai Surroi”, me ç’rast i ka premtuar edhe nxënësve një angazhim me të madh të ministrisë që ai drejton për çuar përpara arsimin në Luginë të Preshevës.
Delegacioni i Ministrisë së Arsimit të Kosovës, i shoqëruar edhe nga shefi i zyrës ndërlidhëse të Prishtinës në Beograd, Valdet Sadiku vizitën në Luginë e vazhdoi në Komunë të Preshevës, ku u takua me kryetarin Ragmi Mustafa, vizitë në shkollën “9 Maji” në Leran, për t’u rikthyer në Bujanoc në takimin me dy deputetët popullor në Parlamentin e Serbisë, Riza Halimin dhe Shaip Kamberin.
Vizita e Ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës, Arsim Bajrami, në Luginë të Preshevës, po shënon vizitën e parë zyrtare të një ministri nga Kosova në Bujanoc e Preshevë.
Për më tepër foto dhe video shko në:
http://www.titulli.com/index.php?m=post&s=13147