(2L ONLINE) – Shqiptarët e Kosovës dhe shqiptarët në tërësi si komb u radhiten përkrah atyre që e fitojnë e bëjnë dhe shkruajnë historinë dhe ndodhi ajo për të cilën me shekuj kishin ëndërruar. Fituan!
Fituan kundër atyre që kurrë më parë nuk kishin arritur të fitojnë. Sado që u përpoqën dhe bënë edhe akte heroike të pa shembullta, nuk ja arritën sepse ishin të vetmuar. Ose kishin miq të tillë që ishin të pa përfillshëm ose ishin të gabuar në kohë të gabuar.
Në një moment që arritën të i përshtatin interesat e veta kombëtare-strategjike me interesat e atyre që po e fitonin lojën politiko -ushtarake ndodhi mrekullia. Kosova u lirua e Shqipëria u anëtarësua në NATO. Qëllime këto të cilat dukeshin të pa arritshme shumë pak kohë më përpara.
Akoma sot pas pesëmbëdhjetë vitesh më rri para sysh imazhi i mjeteve ushtarake të NATO-s që në mënyrë gloriose marshonin rrugëve të Kosovës dhe njerëzve që hapnin duart nga qielli dhe hipnin mi ato makina dhe i puthnin ato të mposhtur nga lumturia shpirtërore nëpër të cilën po kalonin në ato qaste. Dhe ajo lumturi dhe çlirim shpirtëror nuk do duhej të harroheshin e aq më pak të zhvlerësohen
Shqiptarët tashmë kishin një krah të fortë të cilin nuk e kishin pasur asnjëherë ma parë. Kishin një aleancë të madhe ushtarako politike mburojë,dhe dukeshin të pamposhtur dhe faktorë të denjë ndër miq e armiq. Ky faktorizim i shqiptarëve nuk u pëlqeu gjithkujt aq më pak armiqve të përbetuar shekullorë!
Kështu që duhej ndërmarrë diçka për ta ndërprerë ringritjen dhe rilindjen e faktorit ilir-shqiptarë në Ballkan. Opsioni ushtarak nuk ishte më opsion! Sepse duhej të mposhtej NATO më parë para se të mposhteshin shqiptarët ushtarakisht.
Prandaj duhej zgjedhur mundësi tjera për të i diskreditua dhe për të i mposhtur shqiptarët. Ata duhet ta mposhtin vetveten sepse nga vetvetja nuk mund të i mbrojë askush e as NATO!
Dhe aktualisht ky opsion është duke vepruar me intensitet të lartë. Kur nuk mundesh nga jashtë mundesh nga brenda përmes të famshmit Kalit të Trojës!
Në këtë rast kal Troje do jenë vet shqiptarët. Ata të shiturit. Ata të pa diturit me tru të shpëlarë. përçajë e sundo është deviza më e mirë por këtej nuk po ngelet me përçajë e sundo por bëji pikë e pesë e shthuri si komb e si identitet!
Kjo që po na ndodhë para syve nuk është ëndërr. Është realitet i hidhur. Është mjerim shpirtërorë! Askush nuk fyen veten e askush nuk çnderon kombin e tij sa ne!
U sha e po shahet Gjergj Skenderibeu, Gonxhe Bojaxhiu, qe besa kanë filluar ndërskamsat e para për familjen legjendare Jashari e tash më së fundi edhe përdhosja e Emrit të një figure madhore të rezistencës kombëtare , Ukshin Hoti!
Turp. Jo vetëm por çmenduri! A çmenden popujt siç çmendet individi. Po popujt çmenden dhe çmenduria e tyre krijon pasoja që nuk përmirësohen ndër gjenerata!
Kthehuni mbrapa në kohë dhe do gjeni shembuj nëpër histori. Vetëm se kjo e jona ndryshon nga të tjerat se është e orientuar kundra vetvetes ndryshe nga tjerat që ishin kundra të tjerëve. Nëse e kuptojmë tani ka kohë përmirësimi nëse jo…zoti na ndihmoftë!
/Xhelil ARIFI / 2LONLINE/