Sipas një studimi amerikan, rezultoi një përmirësim i aftësive intelektuale të personave që pinin kakao.
Këto janë rezultate interesante për kërkimet për sëmundjen e Alzheimer-it.
Përsëri kakaoja zbulon vlerat e saj! Ne e dinim që ajo bën mirë për lëkurën, ndihmon për djegien e yndyrave, ka efekte antikollë dhe vazodilatatorë. Një studim i ekipit të Dr Farzaneh Sorond, i shkollës së mjekësisë së Harvard-it, i botuar në “Neurology”, shton se kakaoja mund të kompensojë një rënie të lehtë të aftësive intelektuale të personave të moshuar, citon Living.
“Ndërsa truri përbën vetëm 2% të peshës së përgjithshme, ai konsumon mbi 20% të oksigjenit dhe energjisë së trupit të njeriut”, kujton Dr Paul Rosenberg, specialist i sëmundjes së Alzheimer-it në shkollën Johns Hopkins të Baltimore-it, në një koment shoqërues të këtij botimi. Kur përdorim trurin tonë, neuronet tona kanë nevojë për energji për funksionimin e tyre. për t’iu përgjigjur kësaj kërkese, prurja e gjakut në tru rritet për të sjellë glukozën. “Kjo lidhje, që quhet çiftëzim neuro-vaskular, arrin të luajë një rol të rëndësishëm në sëmundje të tilla si ajo e Alzheimer-it”, thekson Dr Sorond-i.