(2L ONLINE) – Votat e publikuara deri tani, pavarësisht se i referohen burimeve të QNR-së, nuk janë përfundimtare. Këto shifra po kontestohen nga disa kandidatë për deputetë, qoftë prej atyre që tashmë janë fitues, qoftë prej atyre që presin t`i kenë votat e mjaftueshme për të hyrë në Parlament, kur rezultati të certifikohet nga KQZ.
Sipas rezultateve që janë publikuar deri tani, Lirije Kajtazi i ka 7779 vota, por ajo thotë se deri më tani ka 8939 vota, pa llogaritur Lipjanin, Rahovecin, Prizrenin dhe Shtimen, ku po ashtu beson se ka pasur përkrahje.
Edhe Sabit Rrustemi, kandidat për deputet nga radhët e LDK-së, thotë se ka më shumë vota se sa janë publikuar në disa media e që i referohen QNR-së – 4105 vota. Ai thotë se vetëm në Gjilan ka marrë 4696 vota. Rrustemi dyshon se shifrat janë manipuluar.
Sipas rezultateve të deritashme të QNR-së, Gjilani mund t`i ketë në Parlamentin e Kosovës 10 deputetë. Gjasat janë që LDK t`i ketë 3 deputetë, VV – 3, PDK- 3, ndërsa NISMA – 1.
LDK do të përfaqësohet me Fatmir Rexhepin, Murat Hoxhën e Lirije Kajtazin. Kandidatët e VV-së janë Besnik Bislimi, Ismajl Kurteshi e Besa Baftija. Kandidatët e PDK-së janë Zenun Pajaziti, Labinotë Demi-Murtezi e Salihe Mustafa. Kurse NISMA, nëse mbetet në kuotën e tashme të votave, nga Gjilani do ta ketë Valdete Bajramin. /2L ONLINE/