(2LONLINE) – Nënkryetari i komunës së Gjilanit Rexhep Kadriu, që njëherësh është edhe kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Dega në Gjilan, ka thënë për 2L Online se po e pret kreun e komunës Lutfi Haziri të kthehet, pasi ndodhet jashtë vendit, për t’u emëruar menjëherë pastaj drejtorët e dy drejtorive, që sipas marrëveshjes për bashkëqeverisje në mes LDK-së e AAK-së, do të udhëhiqen nga kuadrot e Aleancës.
Siç dihet tani më, me marrëveshjen për bashkëqeverisje në mes të LDK-së, partisë fituese dhe AAK-së, kësaj të dytës i është dhënë posti i nënkryetarit, që veç po ushtrohet nga Rexhep Kadriu, që nga dita e të bërit publik të arritjes së marrëveshjes, si dhe edhe dy drejtori komunale, ajo e Shërbimeve Publike dhe e Administratës së Përgjithshme.
Kadriu ka mohuar zërat se AAK-ja po i zvarrit emërimet e drejtorëve të këtyre dy drejtorive, duke thënë se kjo do të ndodh javën që vjen, pasi po e pret zotin e shtëpisë të kthehet nga jashtë vendit, pasi AAK si partnere e partisë në pushtet, do t’i bëjë propozimet, ndërsa emërimet në ato poste do të bëhen nga kreu i komunës.
“Në komunë ka rend. Gjilani ka zot shpije dhe se me të kthyer kryetari Lutfi Haziri, do të bëhen edhe emërimet në këto dy drejtori që janë ndarë, sipas marrëveshjes, për kuadrot e AAK-së”, ka thënë Kadriu për 2L Online.
Ai mohoi të jenë përcaktuar emrat se kush do të jenë bartës të atyre dy drejtorive, duke thënë se kjo çështje i takon Këshillit Drejtues të AAK-së që do të mblidhet javën tjetër, e nga ku do të dalin dy propozime e të cilat pastaj do ti propozohen të parit të komunës i cili edhe do t’i emërojë ata në postin e dhjetorit, për ato dy drejtori përkatëse.
Kadriu tha se me rëndësi po punohet mirë dhe ushtruesit e detyrës së drejtorëve në drejtoritë përkatëse janë në nivel të detyrës. Përndryshe, ai tha se koalicioni mes LDK e AAK, nuk është koalicion për numra, por për një qeverisje të mirë për qytetarin dhe kjo po ndodh.
“Me rëndësi është që po punohet bashkërisht për të mirën e qytetarit i cili me verdiktin e tij ka treguar se kush ishte ndryshimi i domosdoshëm për Gjilanin, e që është pra Lutfi Haziri dhe Rexhep Kadriu”, shprehet nënkryetari i komunës Rexhep Kadriu. /2lonline/