(2LONLINE) – Kryetari i AAK-së në Gjilan Rexhep Kadriu ka thënë se Aleanca në Gjilan është karakterizuar me shumë zhvillime, të cilat kanë bërë që AAK për herë të parë të jetë lajmi kryesor nëpër mediume, si në ato lokale, por po ashtu edhe më gjerë, kjo falë projekteve të shumta që janë bërë në të mirë të qytetarëve të Gjilanit.
“Edhe pse zgjedhjet e fundit lokale nuk kanë shkuar ashtu siç kanë qenë pritjet tona, ne jemi gjithsesi të kënaqur me mbarëvajtjen e rregullt të tyre në radhë të parë, ndërsa them se tani jemi duke punuar për zgjedhjet nacionale që pritet të mbahen së shpejti, ku besojë se me punën që është bërë deri më tani, do të kemi rastin të ecim shumë përpara”, ka thënë kryetari Kadriu, në një intervistë për televizionin VALI.
Ai ka folur edhe për objektivat si partiake po ashtu edhe personale, duke thënë se do të fillojë qysh nga konsolidimi partiak dhe prurjet e reja që do të ndodhin në të ardhmen, ndërsa ka thënë se ai vet do të kandidojë për deputet në parlamentin e Kosovës, vetëm me qëllimin për ti ndihmuar qytetarët e Gjilanit.
Kadriu ka thënë se ai do të vazhdojë humanizmin e tij në ndihmë qytetarëve, duke thënë se numri 40 i projekteve të realizuara deri më tani, do të vazhdojë dhe se deri në fund ky numër do të arrijë në 100.
Ndërsa, ai të gjithë qytetarëve i ka dëshiruar një vit të mbarë, duke thënë se i pret një vit i vështirë, sepse ndryshimi që qytetarët kanë kërkuar nuk ka ndodhur në Gjilan, por ka premtuar se Aleanca në Gjilan dhe këshilltarët komunal të saj, do të jenë zë i fuqishëm i tyre. /2lonline/