(2L ONLINE) – Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Rexhep Kadriu, i shoqëruar edhe nga drejtori i prokurimit Salih Kqiku dhe bashkëpunëtor të tjerë, kanë bërë inspektimin e punimeve në rrugën “Vëllezrit Frashëri”, dhe ka bashkëbiseduar me qytetarë për të bërë zgjidhje dhe për t’u hapë rrugë investimeve.
Me këtë rast Kadriu ka thënë se në këtë lagje po investohet infrastruktura dhe po lehtësohet qarkullimi i qytetarëve, në këtë pjesë e cila më parë nuk kishte asnjë element të vetëm që të quhet rrugë.
“Jam duke inspektuar rrugët të cilat janë duke u investuar në Gjilan. Komuna e Gjilanit po krijon kushte për qytetarët e saj në aspektin e investimeve në infrastrukturë publike dhe kështu do të vazhdojmë edhe më tutje me investime në rrjet të kanalizimit, ujësjellësit, asfaltimeve, trotuarit e ndriçimit publik. Në këto kushte janë duke u kryer punë të vazhdueshme në hapësirën e Gjilanit, por me përmirësimin e motit do të shtohet intensiteti i punimeve në terren me të vetmin parim, përmirësimin e kushteve për qytetarët tanë pa dallim ku ata jetojnë, duke krijuar qasje më të lehtë të qytetarëve me rrugët kryesore dhe me pjesën tjetër të qytetit”, ka thënë Kadriu ndër të tjerash, duke shtuar se poashtu ka bashkëbiseduar me qytetarë edhe për largimin e pengesave eventuale afër investimeve, për të krijuar mundësi që puna të kryhet sipas standardeve.
Edhe drejtori i prokurimit, Sali Kqiku, tha se kjo është një pjesë e investimit, sepse pos atyre rrugëve të cilave u është shtruar një shtresë asfaltimi, në këtë lagje do të vazhdoj të investohet edhe më shumë sipas kontratës.
“Në këtë lagje janë asfaltuar disa rrugë, por ato kanë ende punë deri në finalizim sipas projektit dhe kontratës, gjithashtu do të asfaltohen edhe rrugë të tjera, ngase gjendja në këtë pjesë ka qenë rënduese për qytetarët tanë dhe ka kërkuar një intervenim emergjent nga ana e Komunës”, tha Kqiku ndër të tjerash. /2L ONLINE/