Gjilan – (2LONLINE) – Kryetari i AAK-së në Gjilan Rexhep Kadriu, gjatë ditës së hënë është takuar me klubin futbollistik “Gjilani”. Ai në stadiumin e qytetit, është pritur nga trajneri i klubit Muharrem Sahiti si dhe lojtarët, të cilët e kanë falenderuar kryetarin Kadriu për vizitën.
Kadriu ka thënë se është adhurues i sportit dhe se përcjellë vazhdimisht të gjitha ndeshjet që zhvillohen në Gjilan.
“Unë gjithmonë e kam ndihmuar sportin pas asnjë pretendim. E kam bërë thjeshtë sepse mendojë që është obligim ti ndihmojmë të rinjtë që merren me sport. E kam ndihmuar klubin e karates, atë të boksit, jam sponsor i klubit futbollistik në Përlepnicë etj. Për asnjë qëllim tjetër, thjeshtë sepse jam adhurues i sportit”, ka thënë Kadriu.
Ai ka premtua se K.F “Gjilani” do ta ndihmojë edhe financiarisht, sepse është një klub i lënë pas dore.
“Kur bëhet ndarja e buxhetit, bëhen planifikime edhe për sport dhe ndarja duhet të jetë proporcionale. Këtë do të duhej ta bënte një kryetar komune i mirë”, ka thënë më tej kryetari Kadriu.
Ndërkaq, trajneri i K.F “Gjilani” Muharrem Sahiti, ka falenderuar kryetarin Kadriu për përkrahje, duke folur edhe për sukseset që ky klub ka arritur deri tani.
Ky takim, është mundësuar nga Nderim Isufi. /2lonline/