Gjilan – (2LONLINE) – Kryetari i AAK-së në Gjilan dhe kandidati për kryetar të komunës nga radhët e kësaj partie Rexhep Kadriu, është takuar me përfaqësuesit e klubit futbollistik “Galaxy” në Gjilan. Ai ka pritur ndihmës-trajnerin e këtij klubi Armend Maliqi bashkë me lojtarët, me të cilët kanë diskutuar për gjendjen dhe kushtet që ky klub ka.
Kadriu ka thënë se është i gatshëm ti përkrahë të rinjtë që merren me sport, sepse ai vet këtë fushë e vlerëson dhe e konsideron të rëndësishme.
Përfaqësuesit e klubit futbollistik “Galaxy” kanë folur për gjendjen e vështirë financiare me të cilën përballen, ku në të shumtën e rasteve të gjitha shpenzimet mbulohen nga vet përfaqësuesit dhe lojtarët.
Duke e parë gjendjen e vështirë me të cilën ballafaqohet ky klub dhe vullnetin e madh të tyre për të funksionuar, Kadriu ka ndarë një shumë simbolike për ta, si ndihmë për të vazhduar aktivitetin e tyre.
Ai ka thënë se ndihma për këtë klub do të vazhdojë edhe në të ardhmen dhe se me ardhjen e tij në krye të komunës së Gjilanit, do të gjendet zgjidhje për çdo problem.
Armend Maliqi ka falënderuar kryetarin Kadriu, ndërsa ka thënë se për të tillë përkrahës ka nevojë sporti në komunën tonë.
Ky takim u bë i mundshëm nga aktivisti i Aleancës Fatmir Emini, i cili me të parë gjendjen e vështirë të klubit futbollistik “Galaxy”, i ka mundësuar takim me kryetarin e AAK-së në Gjilan Rexhep Kadriu. /2lonline/