(2LONLINE) – Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Rexhep Kadriu së bashku me drejtorin e Drejtoratit Komunal për Arsim, Nazmi Musa, kanë realizuar sot një vizitë të paparalajmëruar në shkollën fillore “Thimi Mitko” dhe shkollën fillore “Abaz Ajeti”.
Vizita është bërë për ta parë nga afër performancën e menaxhmentit dhe të punonjësve të arsimit të këtyre shkollave.
Gjatë kësaj vizite janë evidentuar disa probleme në shkollën fillore “Abaz Ajeti”, ku në një klasë është gjetur duke punuar një punëtor teknik dhe shkaku i zhurmës së krijuar është penguar procesi mësimor meqë rast i është tërhequr vërejtja drejtorit dhe të zëvendëses së tij sikurse i është tërhequr vërejtja shkaku i kushteve jo të mira higjienike.
Nënkryetari Kadriu dhe drejtori Musa janë zotuar se të gjitha shkollat e komunës së Gjilanit do ta kenë përkrahjen e madhe të Komunës së Gjilanit, për të pasur një arsimim cilësor dhe të dinjitetshëm.
“Mbështetja e Komunës për shkollat tona nuk do të mungojë asnjëherë. Do të bëhen reforma të mëdha në arsim për ta ngritur nivelin e këtij sektori shumë të rëndësishëm të shoqërisë. Duhet të jeni vigjilent që të gjithë punëtorët e arsimit të vijnë më kohë në mësim dhe ta vlerësoni performancën e secilit. Duhet të ngritet edhe niveli i pastërtisë në shkolla. Do të punojnë vetëm ata që janë serioz dhe të përkushtuar në këtë sektor”, ka thënë me këtë rast nënkryetari Kadriu.
Gjatë këtyre vizitave është biseduar edhe për ngritjen e sigurisë në shkolla në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, për të pasur një proces normal të zhvillimit të punës nga ana e punonjësve të arsimit.
“Do të punojmë me përkushtim të madh për ta ngritur nivelin e sigurisë në shkolla dhe këtë do ta bëjmë së bashku me Policinë e Kosovës, të cilët kanë shprehur vullnet të madh për bashkëpunim. Kërkojmë nga ju që të funksiononi mirë në stafin tuaj dhe duhet të vie në shprehje bashkëpunimi edhe i trekëndëshit nxënës-prindër-mësues. Do ta keni mbështetjen e drejtorisë Komunale të Arsimit dhe të gjitha problemet do t’i zgjidhim së bashku”, tha drejtori i Arsimit, Nazmi Musa.
Jyksele Gjinolli – drejtoreshë në shkollën fillore “Thimi Mitko” dhe Hetem Kosumi – drejtor në shkollën fillore “Abaz Ajeti”, kanë falënderuar nënkryetarin Kadriu dhe drejtorin e Arsmit Nazmi Musa për vizitën, duke u zotuar se do të punojnë me përkushtim të madh për të pasur një arsimim cilësor./2lonline/