(2LONLIEN) – Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Rexhep Kadriu, ka vizituar sot drejtorinë për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit, me qëllim të njohjes për së afërmi të punës së këtij sektori.
Në këtë takim ishin të pranishëm edhe inxhinierët e këtij drejtorati, ndërsa u.d. i Drejtorit për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit, Mumin Kqiku e njoftoi nënkryetarin Kadriu për punët, projektet dhe planin zhvillimor të kësaj drejtorie.
“Do të ketë bashkëpunim cilësor dhe të avancuar reciprok. Me pjesën dërmuese të stafit kemi bashkëpunim të mirë. Duhet shumë angazhim për të arritur objektivat tona. Jemi në fazën e parapërgatitjes së miratimit të planeve të reja rregulluese. Presim angazhime shtesë për arritjen e objektivave tona për zhvillimin e qytetit tonë”, ka thënë z. Kqiku.
Nga ana tjetër, nënkryetari Rexhep Kadriu ka konfirmuar përkrahjen e madhe të këtij resori nga ana e kryetarit Haziri, në zhvillimin dhe përparimin e madh që do të ndodhë në vazhdimësi. Ai ka kërkuar efikasitet të madh në punë, duke kërkuar plan konkret veprimi.
“Qëllimi i kësaj vizite është njohja për së afërmi me punën e kësaj drejtorie. Deri tash është punuar qysh e dimë të gjithë, por tash e tutje do të punojmë ndryshe. Do të bëjmë reforma në këtë drejtori. Do ta fuqizojmë drejtorinë dhe do t’i mbështesim maksimalisht edhe inxhinierët. Na duhet një plan veprimi prej jush dhe këtë duhet ta bëni shumë shpejt. Plani i rregullimit të qendrës duhet të bëhet me urgjencë, për t’u shpërndarë edhe në lagje tjera. Duhet të ketë efikasitet të shtuar në punë. Çdo qytetari duhet t’i përgjigjeni në afatin sa më të shkurtër sa i përket aplikimit për leje ndërtimore. Duhet ta përgatitni një plan veprimi edhe për legalizim”, ka thënë me këtë rast nënkryetari Kadriu.
Poashtu, Kadriu ka kërkuar nga menaxhmenti i kësaj drejtorie që të përfundojnë me urgjencë planifikimin e lokacionit për varrezat e qytetit. /2lonline/