Aleanca për Ardhmërinë e Kosovë (AAK), Dega në Gjilan, ka nis fuqishëm procesin e brendshëm të rregullt zgjedhor. Mireshi është nëndega e parë në nivel lokal që mbajti kuvendin zgjedhor nga i cili dolën organet e reja drejtuese, kryetari, nënkryetarët, sekretari dhe kryesia, bëjnë të ditur drejtuesit e kësaj Dege.
Në këtë takim me karakter zgjedhor, morën pjesë kreu i AAK-së në Gjilan, njëherësh zëvendësministri i MI-së, Rexhep Kadriu, drejtori i Arsimit në Gjilan, Nazim Gagica, dhe drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Selami Xhemajli.
Rexhep Kadriu fillimisht falënderoi strukturën udhëheqëse, aktivistët dhe anëtarët e aleancës në Miresh. “Jemi ne proces të rregullt zgjedhor në AAK. Kemi përzgjedh Mireshin si pikënisje të këtij procesi për shkak se dihet botërisht puna, angazhimi dhe aktivizmi i mireshasëve në Aleancë dhe në të mirën e komunitetit”, tha Kadriu.
Ai tha se ato që i kanë thënë vazhdimisht, qoftë në ndeja private, në rrethe shoqërore, por edhe në fushata zgjedhore, sot po përjetohen, po preken nga qytetarët.
“Qeveria Haradinaj po e ndryshon Kosovën, po e prek çdo segment të jetës në vendin tonë. Kemi thënë se Anamorava do të jetë fuqishëm prezentë në projektin qeverisës të kryeministrit Haradinaj, ndërsa sot po e shohim se Gjilani dhe Anamorava ka përfitua shumë, duke u nisë nga projekti madhorë, Autostrada Prishtinë – Gjilan – Dheu i Bardhë”, theksoi Kadriu.
Delegatët e kuvendit të nëndegës zgjodhën kryetarin dhe kryesinë. Ibish Ibishi me votë unanime rizgjedhet kryetar i AAK-së, nëndega në Miresh.
Përndryshe, kuvendet zgjedhore nëpër nëndegë i paraprijnë kuvendit të rregullt zgjedhor në degën e Gjilanit, për ta përmbyllë këtë proces me atë në nivel të Kosovës.