(2LONLINE) – Kreu I Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës(AAK),Dega në Gjilan, Rexhep Kadriu ka thënë se AAK-ja është e gatshme me bashkëqeverisë me LDK-në, fituese e këtyre zgjedhjeve, nëse ajo tregon interes.
Kadriu ka thënë se nuk duhet harruar se AAK-ja ka dal partia e tretë më e votuar në Gjilan dhe në Kuvendin Komunal do t’i ketë katër këshilltarë dhe se është e gatshme për të dhënë kontributin e saj në të mirë të qytetarëve duke qenë pjesë e bashkëqeverisjes.
“Po presim ofertë nga LDK nëse është e interesuar të bashkëqeverisë me ne, sepse ne jemi të gatshëm të hyjmë në bashkëqeverisje, ngase duam të japim përmes katër këshilltarëve tanë në asamblenë komunale, kontributin tonë për të mirën e Gjilanit dhe qytetarëve të saj”, ka thënë Kadriu për Portalin 2lonline.
Ai tha se tani mbetet në vullnetin e partisë fituese që të na ofrojë ofertën. Kadriu nuk precizoi se cila do të jetë hisja që e kërkon AAK, por vetëm ka thënë se nuk duhet harruar se AAK-ja ka dal partia e tretë më e votuar dhe se ajo nuk kërkon asgjë më shumë a më pak se sa ajo që i takon.
Ai ka bërë me dije se ka pas kontakte dhe pret që edhe këto ditë të kenë kontakte me partinë fituese, për të shtuar se do të ishte më mirë për Gjilanin dhe demokracinë që kjo komunë të mos udhëhiqet vetëm prej një partie por të ketë një bashkëqeverisje, sepse Gjilani ka nevojë për një pushtet stabil, për një Kuvend tejet funksional.
“Është më mirë që Gjilani të qeveriset nga dy parti e jo nga një parti vetme”, ka thënë Kadriu i AAK-së. /2lonline/