Një ditë para udhëtimit të përfaqësueses së Kosovës në futboll, në ndeshjen kundër Kroacisë për garat kualifikuese të botërorit 2018, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, vizitoi sot djelmoshat e përfaqësueses gjatë stërvitjeve në stadiumin e “Ferronikelit” në Drenas.
Kryekuvendari Veseli përgëzoi të përzgjedhurit e Albert Bunjakit, duke theksuar se sporti është ndër ambasadorët më të mirë të vlerave pozitive të Republikës së Kosovës. Ai rikonfirmoi premtimin se nëse përfaqësuesja arrin të kualifikohet për botërorin 2018, secili anëtar i saj do të shpërblehet me nga 100 mijë euro.
“Nuk do të jetë vetëm kjo përkrahje. Ne do të qëndrojmë përkrah jush në të gjitha rrethanat, sepse kemi nevojë për juve, kurse rinia e Kosovës ka nevojë për shembullin e suksesit tuaj”, theksoi kryekuvendari Veseli dhe shtoi se sporti promovon vlerat tona pozitive, me shpirtin garues, lojën korrekte dhe përkushtimin ekipor, tifozët e sjellshëm dhe të zjarrtë për përfaqësuesen tonë.
Ai vuri në dukje se përfaqësuesja e Kosovës në futboll ka filluar me elan dhe energji, e dëshmuar me paraqitjen e vet në ndeshjen paraprake.
Duke kërkuar nga lojtarët angazhim maksimal, kryeparlamentari Veseli tha se pret lojë të denjë dhe fitore të përfaqësueses së Kosovës, ndërsa premtoi se do të jetë në Shkodër, së bashku me mijëra tifozë tjerë për t’i dhënë përkrahje futbollistëve tanë.